FSHF kurrë më afër se tani me UEFA-n/ Gjithmonë na njihnin si fqinjët e Greqisë dhe Italisë, sot themi fjalën tonë!

Nga Klaudio Ndreca

Zakonisht në futboll përparojnë më tepër vendet e pasura dhe që kanë popullsi të madhe. Në ato pak raste kur shtete me pak banorë arrijnë që të kualifikohen të paktën dy herë radhazi në kompeticione si Europiani dhe Botërori, për të zhdukur pjesën e rastësisë, kemi të bëjmë sërish me shtete që janë ekonomikisht në nivelet më të larta.

Është thuajse e pamundur që të shohësh një vend të varfër, që të arrijë rezultate mbreslënëse. Le të themi se futbolli është si çdo hallkë tjetër e jetës që lidhet zinxhir. Madje edhe në Afrikë kanë dalë yje futbolli që kanë bërë zhurmë në gjithë botën, por askush nuk ka parë një Kombëtare të kësaj ane që të triumfojë në Botëror.

Sepse në fund të fundit, që të kesh sukses dhe të ngrihesh në të tilla nivele, duhet një punë e mirëorganizuar që te baza, ku nuk mjafton vetëm një dhuratë nga Zoti për të sjellë Eto apo Drogba. Për këtë arsye edhe Shqipëria e ka pasur më shumë se të vështirë që të shkojë larg në këtë sport, duke ditur ekonominë e vendit, që shihet që te llogaria jonë familjare.

Një popull të varfër është e vështirë që ta ushqesh me sport e art! Ndërkohë në këto vitet e fundit duhet të themi se futbolli është përpjekur që të shkëputet sadopak nga ky zinxhir i ndryshkur i Shqipërisë, që nuk funksionon asgjë. Më shumë se kurrë më parë, tani nuk njihemi vetëm si shteti fqinj që ndodhet afër me Greqinë dhe Italinë, si shteti që ka shumë bukuri dhe që nuk di si t’i shfrytëzojë, por edhe si vendi ku futbolli ka kryefjalën e tij.

Për të mos risjellë sërish në vëmendje Europianin e Francës, një nga pikat kulmore ishte posti i marrë dhe besimi i dhënë për presidentin e FSHF, Armand Duka, si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Nëse kjo mendohej se do të ishte thjesht një arritje personale e Dukës që nuk do të lidhej me FSHF dhe Shqipërinë në tërësi, le të kalojmë me faktet e tjera.

Pas shumë vitesh që kemi paraqitur kërkesën tonë për të marrë një finale të një kompeticioni të njohur europian, në një stadium modern si “Air Albania” do të mbahet finalja e “Conference League”. Viti i parë dhe në historinë e këtij turne do të thuhet: “Gjithçka nisi nga Tirana”. Ndoshta për ne shqiptarët nuk mjafton dhe do të kërkonim finalen e Champions League, por për të pasur këtë luks kërkohet një stadium me aq vende, sa sot nuk i gjen shqiptarë që jetojnë brenda territorit zyrtar të Shqipërisë.

Një arritje jo e vogël që plotësohet nga imazhi kryesor që hedh shortin e këtij kompeticioni. Gjithmonë jemi mësuar të shohim ikonat e futbollit europian që zgjedhin goglat, këtë herë shfaqet kapiteni legjendar i yni, Lorik Cana. Jo pak!

Tjetër dëshmi e forcës së rritur të FSHF është fitorja për rastin Nedim Bajrami. Në bazë të ligjeve dhe rregullave, mesfushori i Empolit ishte i dënuar për të mos luajtur më për Kombëtare deri në mbyllje të karrierës së tij.

Pas shumë procedurash ligjore, FSHF ia doli që lojtarit t’i plotësohej dëshira për të luajtur me Shqipërinë, me një përjashtim nga rregulli. Pa harruar edhe tre pikët e marra ndaj Serbisë në CAS. Sigurisht në atë rast kemi arritur të fitojmë drejtësinë, por të gjithë e dimë sesa e vështirë është që të fitohet drejtësia kur konkurron mes më të fortëve. Më shumë sesa të jesh i drejtë, pikësëpari duhet të kesh të njëjtën forcë me kundërshtarin, në mos më shumë.

E si për të kompletuar gjithë panoramën që përfshin lojtarët e Kombëtares që luajnë në Europë dhe që na mbushin zemrat tona, tani Shqipëria do të ketë edhe një arbitër që do të përfaqësojë në nivelet më të larta. UEFA e ka graduar Enea Jorgjin në nivelin më të lartë duke i dhënë të drejtën që të gjykojë në Champions League dhe Europa League.

Duke futur këtu edhe besimin e dhënë nga UEFA karshi FSHF për të organizuar turneun paraeleminator të Champions League në këtë sezon apo edhe turneun e kualifikuesve të Europianit për U-19, ku Shqipëria u gjet me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë, mund të themi se tani e kemi zërin e lartë dhe forcën reale për të thënë edhe ne fjalën tonë. Nuk jemi thjeshtë fqinjët e Italisë dhe Greqisë, jemi Shqipëria!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online