Xhevat Prekazi, legjenda shqiptare që bën tifozllëk për Partizanin e Beogradit

Xhevat Prekazi është një ish-futbollist i famshëm nga Kosova, lindur në Mitrovicë, por i bërë i famshëm duke luajtur për Partizanin e Beogradit, klub të cilin e mbështet edhe sot e kësaj dite, aq sa jeton në Beograd dhe ka vite që nuk shkon në Kosovë, pasi siç thotë edhe vetë, nuk i ka mbetur më askush, pas shuarjes së familjes së tij gjatë luftës.

Ish-futbollisti I Partizanit te Beogradit, një yll edhe te Gallatasaraji në Turqi ku arriti statutin e legjendës (edhe një rrugë mban emrin e tij), në një intervistë për televizionin Klan, dhënë gazetarit Idro Seferi, ka folur pikërisht për këtë situatë të çuditshme dhe ndasitë që ekzistojnë mes tij dhe Kosovës.

“Nuk kam qenë kurrë kundër Kosovës, por e vetmja gjë që më ka interesuar ka qenë futbolli. Beogradin e konsideroj qytet timin, pasi aty kam filluar karrierën dhe jam bërë futbollist me emër, në këtë qytet kam kaluar vitet e mia më të bukura”, thotë Prekazi, i cili është trajner tek ekipet e moshave në klubin e Partizanit.

Në intervistën e tij Prekazi nuk e fsheh që është tifoz i Partizanit dhe shpreson që në ndeshjen kundër Skënderbeut të Korçës të fitojë klubi i tij.

Prej vitesh ekziston debati pse lojtarët serbë mirëpriten në Shqipëri, ndërsa asnjë shqiptar nuk luan në kampionatin serb, por Prekazi thotë: “Pse mos të mos luajnë futboll, tani futbollistët nga Serbia po shkojnë në Shqipëri. Mua më thërrasin shumë shqiptarë që I kanë fëmijët talente, po nuk guxojnë të vijnë. Këtu te fëmijët, që unë drejtoj, janë edhe tre shqiptarë dhe janë të pranuar nga të gjithë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *