Legjenda italiane, Klaudio Xhentile, foli për kampionatin botëror dhe protagonistët e tij në një intervistë për “Gazetta dello Sport”. Ish-mbrojtësi i Italisë dhe Juventusit kujton botërorin e 1982 kur i duhej të mbante futbollistë si Maradona dhe Ziko dhe bën krahasimin mes tyre dhe yllit të Brazilit, Nejmar.
“Nuk e di se çfarë do të bëja nëse do të më duhej të markoja Nejmarin, por sigurisht do të mundohesha ta bindja atë që të jetë një person serioz”, – shprehet Xhentile për lojtarin e PSG-së, i cili është në qendër të kritikave për simulimet e tij.
“Ziko dhe Maradona ishin kampionë, nuk bënin filma. Nejmari mundohet të ndikojë në ndeshje, por në mënyrën e gabuar. Më pëlqen ai, por nuk është në nivelin e këtyre kampionëve që përmenda. Braziliani harron që duhet të ndiqet nga shembuj, por nuk ka vetëm ai këtë stil loje. Në një ndeshje tjetër pashë një futbollist që u prek në shpatull dhe u rrëzua duke bërë si i goditur në fytyrë”, – u shpreh ish-mbrojtësi Xhentile.