Klevis Paloka
Daniel Xhafaj prej dy vitesh e ka lënë futbollin dhe me siguri klubet e Superiores mundohen ta gjejnë një sozi të tijën, por kjo nuk është e lehtë. Tashmë ai jeton në SHBA, por një sy e ka gjithmonë te Superiorja. Në një intervistë të dhënë për “Sport Ekspres”, 40-vjeçari analizon situatën te Flamurtarin, flet për humbjen e titullit nga Skënderbeu, vendimin e Etikës dhe rënien e Tiranës nga kategoria. Në fund flet edhe kuqezinjtë e tjerë, Kombëtaren që tashmë ka mbetur pa trajner, profesion të cilin Danieli e ndjek vetë aktualisht.
…
-Daniel, i keni dhënë fund futbollit të luajtur dhe tani jetoni në USA. Me çfarë merreni aktualisht dhe a e ndiqni kampionatin shqiptar?
– Tani po jetoj në Amerikë, ku aktualisht jam trajner i ekipit Sëlltik U15 në Florida. Gjithashtu jam pjesë edhe e stafit teknik të akademisë, ku kam rolin e drejtorit teknik për moshat 14-19 vjeç. Sa i takon Superiores, e ndjek vazhdimisht dhe përpiqem të mos distancohem nga ai kampionat.
-Flamurtari zë një vend të rëndësishëm në zemrën tuaj, pasi jeni vlonjat. Pas atij viti që i shkuat shumë pranë titullit, ekipi ka pasur rënie dhe boshti i skuadrës ndryshon shpesh. Çfarë nuk shkon në atë klub?
-Tek Flamurtari nuk mendoj se ka ndonjë gjë që nuk shkon. Atje në fakt ka shumë gabime, si në organizim, si në menaxhimin dhe krijimin e boshtit të ekipit. Vetëm një gjë shkon atje: stafi drejtues. Janë pikërisht ata që bëjnë merkaton, që bëjnë organizimin dhe janë gjithmonë aty. Duhet të pyesni ata se çfarë nuk shkon me Flamurtarin, drejtorët ekzekutiv apo çfarë emrash kanë. Por prapë me çfarë po lexoj, po bëjnë të njëjtin gabim. Nuk ma bën zemra dhe nuk kam dëshirë te dalin fjalët e mia, por prapë po bëjnë të njëjtin gabim që kanë bërë çdo vit, po largojnë lojtarët më të rëndësishëm, po largojnë boshtin e ekipit, madje disa prej tyre edhe vlonjatë, që po i ndërrojnë me lloj-lloj lojtarësh. Ky është menaxhimi i Flamurtarit dhe shembulli më korrekt dhe konkret është Dejvi Bregu. Largimi i tij si një i paaftë tregon sesa të paaftë janë ata si drejtues.
-Ju e prekët edhe vetë. Çfarë komenti keni për largimin e vlonjatëve nga ekipi, ku ka ngelur vetëm Veliu?
– Kjo tregon se Flamurtari del kampion vetëm në merkato, në numrin e lojtarëve që blen, dhe jo se del kampion në garë.
-Çfarë duhet të ndryshojë tek ky Flamurtar që të kthehet rivalizues për pozitat e larta në tabelën e klasifikimit?
– Për mendimin tim duhet të fillohet nga struktura, ajo është e para. E dyta është që duhet t’u jepet mundësia lojtarëve të akademisë, që të krijohet një ekip, një bosht për të ardhmen. Nuk mund të veprohet çdo vit në të njëjtën mënyrë, vetëm blerje, blerje, blerje! Kjo duhet ndryshuar dhe duhet t’i jepet besim akademisë, sepse ata po ecin shumë mirë dhe po dalin kampion, por nuk duhet ngatërruar një gjë, që është shumë e rëndësishme në futboll, duhet t’u japim besim, jo t’i futim në presion. Kjo është ajo që mendoj unë, por nëse presidentit nuk i dhimbsen lekët që hedh për çdo sezon, atëherë fjalët tona janë kot. Them se ka ardhur momenti që të bëhet një organizim i mirë për të krijuar një Flamurtar për të ardhmen, jo thjesht për të krijuar një ekip ose thjesht një merkato të fuqishme.
-Besoj e keni vënë re që në kampionat mungojnë sulmuesit e “racës”, siç keni ju. A shihni një “Xhafaj” në Superiore?
– Për fatin e mirë, në Shqipëri dalin shumë sulmues të mirë dhe të talentuar, por për fatin e keq të Superiores dhe për fatin e mirë të tyre, ata luajnë jashtë Shqipërie. Kanë cilësi shumë të mira dhe janë të talentuar. Që në moshë të vogël ata ikin jashtë, një shembull është talenti i Vllaznisë Hebaj, i cili është një lojtar shumë i talentuar dhe ka mjaft cilësi për t’u bërë një golashënues.
– Keni provuar të luani në Korçë, aty ku sezonin e fundit titulli kampion nuk u ngrit më. Pse mendoni se ndodhi kjo?
– Mendoj se gabimet e fazës së parë ndikuan në mosfitimin e titullit nga Skënderbeu, por duke shikuar edhe ndeshjen e fundit, ballafaqimin direkt me Kukësin, kur të gjithë e panë çfarë ndodhi… Ajo është një “No comment” dhe shpresoj që të mos ndodhin më arbitrime që ndikojnë për skuadrën që del kampion.
-Po heqjen e titullit të Skënderbeut nga Komisioni i Etikës për sezonin 2015-2016, si e komentoni?
– Me sa mbaj mend unë, mos gabofsha sezonin e 2015-2016, Skënderbeu e ka fituar titullin në fushë, nuk e di se çfarë ka ndodhur më përpara, por atë titull e ka fituar me meritë, ndërsa për vendimin e Komisionit të Etikës, nuk e di ku u bazuan, nuk jap dot një koment.
-A mendoni se duhet ta kërkojë edhe Flamurtari titullin e humbur ndaj Skënderbeut, meqë edhe atëherë kishte kontestime të tilla?
– Për këtë duhet të pyesim drejtuesit e ekipit të Flamurtarit, nëse duhet kërkuar titulli apo jo. Por për sa i përket ekipit dhe lojtarëve, edhe opinioni sportiv dhe të gjithë e dinë se Flamurtari i atij sezoni ishte më superior se rivali i asaj kohe, që ishte Skënderbeu.
-Po rënien nga Kategoria të Tiranës, si e komentoni?
– E rëndë, e dhimbshme, nuk kam fjalë të them, për një ekip me aq shumë tituj që të zbresë në Kategorinë e Parë. Kam përshtypjen se Tirana akoma nuk e ka kuptuar se ku ka arritur, sepse po merret me këto ndeshjet në Europa League dhe mosballafaqimi asnjëherë më parë me ekipet e Ligës së Parë do t’i hapë shumë probleme. Them se ky është momenti më i keq në historinë e Tiranës dhe për të mirën e atij klubi të madh, për të mirën e tifozëve të shumtë, duhet të kthehet aty ku e ka nderin dhe lavdinë.
-Së fundmi jeni pajisur me licencën UEFA A për trajner. E mendoni kthimin në Shqipëri?
– Patjetër që po, sepse unë aty u rrita, aty u formova, por jeta më bëri që të kem një eksperiencë jashtë vendit tim. Jam tip që nuk i trembem sfidave, sepse edhe në jetë përpara kam ecur me sfida, me dinjitet dhe pastërti. Sigurisht që në çdo moment e mendoj rikthimin në Shqipëri.
-Nëse do ktheheshit, cili klub mendoni se përshtatet me idetë që ju keni për futbollin?
– Nuk dua të veçoj asnjë ekip, sepse kudo ku kam luajtur kam kaluar momente të mrekullueshme, por nuk e ndjej veten akoma gati për një ekip të madh dhe profesionist. Kam nevojë për shumë njohuri dhe eksperiencë, edhe pse në licencat e UEFA-s në Shqipëri na kanë dhënë shumë njohuri. Prapë e ndjej nevojën e eksperiencës dhe kur ta ndjej veten gati, kam në plan të marr licencën “UEFA PRO”. Atëherë do të marr një ekip të madh.
-Le të flasim pak për Kombëtaren. Si iu duk largimi i De Biazit dhe kush mendoni se duhet të jetë pasardhësi i tij?
– De Biazi la një histori të madhe, që kemi për ta kujtuar gjatë në memorien tonë, sepse na dhuroi emocione të veçanta, ndaj dhe i uroj suksese kudo që të shkojë. Mendoj se do jetë shumë e vështirë dhe do duhet shumë që të përjetojmë emocione të tilla, por me eksperiencën e duhur të Federatës, mendoj se do të zgjidhet një trajner që do të përpiqet të na i rikthejë prapë ato emocione.
-Së fundmi, a e sheh veten ndonjëherë si trajner i Kombëtares?
– Ëndrrat janë ëndrra, por parimi im është që po të jesh i suksesshëm në rrugën që ti ke, pse jo edhe të mos ëndërrosh. Si fillim duhet të kem suksesin në këtë karrierë që kam nisur dhe në bazë të këtij suksesi edhe mund të ëndërroj.