Vuajtjet e Poçetinos: Më tmerronte gjuha angleze, ia dola falë… Adele!

Mauricio Poçetino po zhvillon sezonin e pestë në krye të stolit të Totenhemit. Trajneri argjentinas la Espanjolin në verën e vitit 2013 për të marrë drejtimin e Sauthemptonit. Ai qëndroi një sezon në krye të “Shenjtorëve”, për t’u transferuar më pas te ”Spurs”, ekip të cilin vazhdon ta drejtojë ende. Fillimi është gjithmonë i vështirë, Poçetino nuk dinte asnjë fjalë anglisht dhe kjo gjë po i kthehej në makth.

47-vjeçari ka dhënë një prononcim për “Joe.uk”, aty ku tregon vuajtjet e fillimit, episodin e ndodhur natën e parë që mbërriti te Sauthemptoni, mësuesin privat dhe këngëtaren… Adele, e cila është një tifoze e zjarrtë e Totenhemit! Sot ndihet për mrekulli dhe i vjen të buzëqeshë, sa herë i kujtohen vështirësitë e hasura me gjuhën angleze dhe këngëtarja e famshme.

VËSHTIRËSITË E FILLIMIT – “Transferimi nga Spanja në Angli në vitin 2013 ishte periudha më e vështirë e jetës time. Jo aq shumë për vendimin e marrë, sesa për përshtatjen. Nuk më zinte gjumi natën, si në rastin e natës së parë në një hotel në Sauthempton. Nuk isha i qetë dhe nuk arrija të mbyllja sytë për të fjetur. Mora telefonin dhe rreth orës 4 të mëngjesit i dërgova një mesazh Zhezus Perezit. E pyeta nëse ishte zgjuar. E ftova të vinte në dhomën time për të biseduar dhe i thashë që nuk dija se çdo të bëja të nesërmen. Do më duhej të dilja përpara 50 personave, përfshirë dhe presidentin, dhe nuk dija asnjë fjalë anglisht. Isha i lëkundur dhe i frikësuar.”

ADELE – “Gruaja ime më gjeti një mësues anglishteje, por seanca e parë, që zgjati dy orë, ishte e mërzitshme. Mendoja se nuk do të arrija kurrë të mësoja gjuhën. Mësuesi vuri këngën ‘Skyfall’ të Adelës, që është shumë e vështirë për ta kuptuar, nëse nuk e di gjuhën. Sot, sa herë që e dëgjoj atë këngë, më kujtohet ai episod dhe më vjen të buzëqesh.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *