U deshën 99 minuta futboll dhe vuajtje, që Interi të fitonte 2-1 sot ndaj Bolonjës, që e mbylli ndeshjen me 9 lojtarë dhe në sulm total.
Pas shumë e shumë javësh, Interi gjen fitoren dhe kaq mjafton që të kthehet në vendin e tretë në renditje, sepse edhe Lacio ka nisur rënien.
Në San Siro u duk e lehtë, kur Eder shënoi pas më pak se dy minutash nga fillimi i ndeshjes, por pa kapitenin Ikardi Interi nuk e ka asnjëherë të thjeshtë dhe një ish-interist, Palasio, barazoi në minutën e 25-të, duke përfituar nga një gafë e mbrojtjes zikaltër.
Në minutën e 63-të erdhi goli vendimtar, me talentin Karamo që lëshoi një gjuajtje fantastike nga jashtë zone me të majtën, duke shënuar.
Në minutën e 68-të Mbaje doli me karton të kuq, por Bolonja vijoi të sulmonte, edhe kur mbeti me 9 lojtarë në shtesë, pas kartonit të kuq të Mazinës. Për fatin e Interit, asnjë rrezik dhe tre pikë të arta.