Vlora, një “persekutim” që nuk ka fund!

0

Nëse do të ishin vetëm gjashtë ndeshjet e këtij sezoni, sigurisht, Flamurtari dhe Vlora nuk do të revoltoheshin ashtu si po bëjnë, me të drejtë të plotë. Nëse do të ishin thjesht gabime, atëherë do të kishin përfunduar. Nëse do të kishte pak drejtësi, atëherë Enea Jorgji vjet do të kishte marrë një dënim shembullor, por vazhdon të “endet” në kampionatin tonë…

Dhe, nëse presidenti i federatës, Duka, kur mblidhet me gazetarët vazhdon të flasë se sa e bukur është kombëtarja dhe të hedhë një lopatë dhe mbi kampionatin shqiptar dhe problemet e vazhdueshme të tij (arbitrat që kanë nisur të “këndojnë” shumë herët, Lushnja që regjistrohet pa pasur asgjë në terezi, Kukësi që ka një terren që është skandaloz, Partizani që nuk ka ende shtëpi dhe e ndan me Tiranën, por edhe Laçi që vendos të mbjellë fushën në fillim të sezonit), atëherë jemi në vendnumëro. Duhet të ishte viti zero, ashtu si thuhet gjithmonë, por po kthehet në atë refrenin që dëgjojmë shpesh kur flasim me dikë që ka dëshirë të nisë palestër, por që thotë “të hënën do ta nis, sepse jemi në mesjavë”. Dhe, a e dini çfarë? Nuk ka për ta nisur ndonjëherë!

Por, rasti “Flamurtari”, që prej vitesh po persekutohet (vjet iu akorduan 3 penallti në të gjithë sezonin, duke mos ndikuar aspak në rezultat dhe që ishin mëse të merituara) është kthyer në një çorbë të prishur. Ishte maji i vitit 2011 kur në stadiumin “Flamurtari” pamë një skenë të tmerrshme për sytë, teksa policia eskortonte lojtarët e Skënderbeut dhe nga tribunat fluturonin vetëm stola në drejtim të tyre. Një kaos i tmerrshëm për titullin e parë të serisë së 6-të radhazi që do të fitonte ekipi korçar, por që kishte ngjallur indinjatën “labe”. Sot, në Vlorë, vullkani është shuar disi, edhe pse ai sezon kujtohet mjaft mirë (ishin në garë gjithashtu për titull), por nëse pesha anon vetëm në disfavor, atëherë asnjë të mos habitet nëse degjenerimi do të vijë…

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.