Hapi i gabuar në Kupën e Shqipërisë është “harruar”. Në kampionat synohet trepikëshi i radhës në “Loro Boriçi”, ku të dielën vjen Laçi
Gaspër Marku
Kuqeblutë kanë bërë një hap të gabuar në Kupë, teksa janë mundur 2-0 nga Tirana në transfertë. Megjithatë, për kualifikimin e mundshëm në Kupë ka kohë për të menduar, sepse pas dy javësh shkodranët kanë mundësi të bëjnë përmbysjen në stadiumin “Loro Boriçi”. Dje kuqeblutë kanë nisur menjëherë përgatitjet për sfidën e së dielës në kampionat, ku presin Laçin. Vetë ngarkesa që skuadra ka pasur mbrëmjen e së mërkurës në “Selman Stermasi” nuk e ka lejuar stafin teknik të aplikojnë një program të plotë. Seanca e zhvilluar në orën 14:00 ishte e përqendruar tërësisht në palestër, nën drejtimin e përgatitësit atletik Gjergji Poloska. Nuk ka pasur ndonjë analize në lidhje me ndeshjen e kaluar në Tiranë, por nuk përjashtohet mundësia që ajo të zhvillohet sot, kur drejtuesit kanë paralajmëruar seancën e radhës. Një seancë kjo që konsiderohet kryesorja në lidhje me përgatitjet për sfidën me Laçin në “Loro Boriçi”, e treta radhazi brenda në fazën e dytë të kampionatit. Një fitore e radhës do të ishte një qetësi më tepër për kuqeblutë në luftën për mbijetesë, ndaj për këtë skuadra është tejet e motivuar për ta realizuar.
SITUATA – Pas dy fitoreve radhazi, me Lushnjën dhe Luftëtarin në kampionat, situata në kampin kuqeblu ishte mjaft pozitive. Pas shumë javësh Vllaznia arriti t’u largohej dy vendeve të fundit të tabelës së klasifikimit. Por jo vetëm kjo, sepse me rritjen e nivelit të lojës, që u shoqërua me vlerësime pozitive nga specialistët u futbollit, Vllaznia filloi të shikohej me një sy tjetër në opinionin sportiv shkodran. Në këtë këndvështrim, edhe vete futbollistët dukeshin më të çliruar psikologjikisht, duke lënë pas atë ngërç që i kishte pushtuar për javë e javë të tëra. Më këtë frymë pritej që kuqeblutë të vinin edhe në takimin përballë Laçit, shumë i rëndësishëm, sepse edhe laçianët janë në grupin e skuadrave rivale të Vllaznisë në kampionat. Por mesjava, që duhej të ishte një bonus më shumë në frymën optimiste, e ka prishur pak situatën me humbjen 2-0 në Tiranë. Drejtuesit po përpiqen ta mbajnë situatën nën kontroll dhe për këtë u kanë kërkuar futbollistëve të lënë pas Kupën, ku kanë edhe një shans për përmbysje dy javë më pas. Përqendrimi maksimal duhet të jetë në përballjen me Laçin. Vllaznia-Laçi, sipas informacioneve më të fundit, pritet të luhet të dielën, në orën 13:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Ky orar duket më i përshtatshëm për këtë sfidë, pasi të tilla janë kushtet atmosferike.