Skuadra ka një ngërç të madh psikologjik! Është kjo kryefjala që trajneri Hysen Dedja e ka përmendur që në ditën e parë që ka mbërritur në Shkodër, duke ngritur alarmin. Pavarësisht disa shkëndijave të dhëna nga ana e futbollistëve të Vllaznisë për një ndryshim të situatës, sërish përfundohej në pikën zero.
Ekipi ka shkuar zyrtarisht në fazën “Play-Out” dhe do i duhet që të djersijë shumë për të mbetur në elitën e futbollit shqiptar. Në ditën e sotme ka ardhur edhe barazimi në shifrat 1-1 ndaj Flamurtarit, duke mos e mbyllur me fitore, pavarësisht se një gjë e tillë nuk do të ndryshonte historinë dhe fatin e këtij kampionati për shkodranët.
Sidorenko kaloi i pari në avantazh vendasit në minutën e 65 me një gjuajtje të bukur duke tundur rrjetën, ndërsa 9 minuta më vonë do të ishte Diamanti që barazoi rezultatin. Flamurtari vazhdoi me aksionet sulmuese për të përmbysur shifrat, por pa i’a arritur dot. /Sport Ekspres/