Vllaznia nis stërvitje në Shkodër, Cungu do sulmues

 

Skuadra është kthyer dje pasdite në Shkodër, ndërsa sot është në “Reshit Rusi” duke filluar përgatitjet anti-Lushnja

Gaspër MARKU

Ashtu siç edhe ishte planifikuar skuadra dje pasdite ka lënë kampingun malazez të Beranes duke i dhënë fund kështu fazës përgatitore. Më herët, në orët e paradites tekniku Cungu ka zhvilluar seancën stërvitore në stadiumin e Beranes, seance e cila ka mjaftuar për të përmbushur ngarkesën e ditës së mërkurë. Nga sa bëhet e ditur, skuadra do t’i rikthehet procesit stërvitor pasditen e së enjtes me seancën e programuar për t’u zhvilluar në fushën e stadiumit “Reshit Rusi”. Për stafin teknik, me mbylljen e ditëve përgatitore malazeze, ngarkesat fizike fillojnë e bien. Kështu që, duke filluar nga dita e sotme dhe në vazhdim pritet të ketë vetëm nga një seancë stërvitore. Kjo, pasi fundjavën e ardhshme starton kampionati dhe futbollistët dalëngadalë duhet të mbërrijnë në parametrat e duhura të formës sportive.

Merkato – Ora 00:00 e ditës së sotme është limiti i fundit për emrat e rinj të merkatos, koha nuk premton shumë dhe shanset që Vllaznia të marrë ndonjë lojtarë janë minimale. Megjithatë, në kampin kuqeblu janë të preokupuar për të siguruar shërbimin e një sulmuesi, por edhe pse realisht optimizmi nga ana e drejtuesve për një gjë të tillë ishte jo pak i vogël, duket se shanset janë të pakta për një gjë të tillë. Ndërsa burime pranë klubit kuqeblu shpreheshin një ditë më parë entuziastë në lidhje me pistën Guri, dje nuk është diskutuar fare rreth emrit të tij. Kryesisht pistat më të shumta të interesimit kanë qenë për sulmues të huaj, ku edhe kontaktet për këtë gjë nuk kanë munguar me menaxherë të shumtë, brenda dhe jashtë vendit. Nga të njëjtat burime mësohet se nëse deri sonte në mesnatë nuk arrijnë të gjejnë njeriun e duhur nga jashtë, atëherë interesimet do të vazhdojnë të jenë edhe për futbollistë shqiptarë, dhe kryesisht të Superligës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *