Humbja me Flamurtarin dhe fitoret e rivalëve për mbijetesë kanë bërë që skuadra shkodrane të futet në zonën e rrezikut të largimit nga Superiorja
Gaspër Marku
Në Shkodër prisnin që Vllaznia ta thellonte distancën e pikëve me dy vendet e fundit të tabelës për të siguruar qetësinë psikologjike e më pas të kërkonte një vend më komod, por në fakt ka ndodhur e kundërta. Dy humbjet radhazi kanë bërë që Vllaznia të mbetet në kuotën e 12 pikëve dhe të kalohet nga Luftëtari, që dje fitoi në fushën e Kamzës. Edhe një tjetër rivale e Vllaznisë, Lushnja, arriti të fitojë në fushën e Kukësit. Fitore këto që i vështirësojnë punët për Vllazninë, tashmë e rrezikuar shumë seriozisht nga rënia në Kategorinë e Parë. Kuqblutë janë zhytur në “dyshen frigoriferike” të renditjes, që nëse gjatë javëve të ardhshme nuk ndryshon, do të ishte vërtet një dramë për futbollin shkodran.
Java e 14-të ishte e gjithë kundër interesave të kuqebluve. Trepikëshi surprizë i Lushnjës në Kukës është një kërcënim tjetër serioz, jo vetëm për Vllazninë, por edhe Luftëtarin. Këto rezultate kanë bërë që atmosfera në qytetin verior të jetë më e nderë se kurrë. Zemërimet, kritikat, qejfmbetjet, akuzat dhe kundërakuzat kanë qenë të pranishme në kampin kuqeblu, duke e bërë situatën në qytetin verior shumë konfuze. Thirrja që vjen nga qyteti është për ta mbështetur Vllazninë të kapërcejë këtë ngërç, që e ka çuar në krizë të thellë. Nëse nuk veprohet me hapa të shpejtë, madje urgjentë, Vllaznisë më pas nuk do të ketë asnjë që t’i bëjë derman. Kërkohet unitet dhe kurajë për ta kaluar momentin e vështirë, ku secili duhet të bëjë më shumë.
Në janar do të ndërhyhet fuqishëm në skuadër, do të ketë afrime në mbrojtje e sulm dhe kërkohen emra me eksperiencë, jo eksperimente. Tregu nuk është se të ofron shumë, sidomos për faktin se Vllaznia nuk i kalon dot shifrat 3000-4000 euro në muaj si pagë, maksimumi. Megjithatë, klubi ka nisur punën dhe të paktën 2-3 lojtarë cilësorë do të afrohen.
ANALIZA – Një ditë pas ndeshjes në Vlorë skuadra shkodrane ka pushuar dhe sot i rikthehet stërvitjes, që është programuar të zhvillohet në orën 14:30, në fushën e kompleksit “Hasaj”. Para fillimit të procesit stërvitor, pritet të organizohet edhe analiza e ndeshjes në Vlorë, me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë të klubit “Vllaznia”. Vetë situata e fundit në kampin kuqeblu e bën më serioze këtë analizë, ku përpos stafit teknik dhe drejtuesve të klubit, pritet të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Bordit Mbikqyrës, ndoshta edhe kryebashkiakja Voltana Ademi, e cila më herët thuhet se mund të ketë ndonjë takim tjetër më të afërt me drejtuesit dhe stafin teknik. Ajo do të kërkojë që të merren masat e duhura për ndryshimin e situatës aktuale.