Vllaznia në alarm, ndaj Partizanit mungojnë 5 titullarë  

Fitorja me Kamzën ka sjellë optimizëm në kampin shkodran, por shqetësojnë mungesat që shtohen dita-ditës. Pjeshka nisi dje stërvitjen. Me probleme, Gurishta, Tafili dhe Çinari. Krymi është i pezulluar

Gaspër Marku

Dita e parë e javës e ka gjetur Vllazninë në fushën e stadiumit “Reshit Rusi”. Reshjet e shiut të rëna gjatë ditëve të fundit e kanë rënduar përsëri gjendjen e terrenit me bar natyral të kompleksit sportiv “Hasaj” të ndodhur në Golem, zonë periferike e qytetit të Shkodrës. Ndaj është vendosur që skuadra të spostohet në fushën me bar artificial të “Reshit Rusit”. Të paktën, kështu është vepruar dje, si ditë e parë e javës, ndërkohë që nëse do të ketë përmirësime të motit dhe terreni do t’i rikthehet normalitetit, seancat e kuqebluve do të zhvillohen përsëri atje.

Dëmtimet – Përsa i përket mungesave që do të ketë skuadra ndaj Partizanit, përpos Ardit Krymit, që do t’i duhet të konsumojë edhe një ndeshje tjetër nga dënimi i marrë me dy të tilla prej Komisionit të Disiplinës pas konfliktit që pati me Hoxhallarin në ndeshjen e Kupës me bardheblutë, Vllaznia vazhdon të ketë probleme sërish në sektorin e infermierisë. Pozitive për këtë seancë të fillimjavës është përfshirja në procesin stërvitor pas një periudhe shkëputje për arsye dëmtimi, i mbrojtësit Denis Pjeshka. Por, nga ana tjetër Pjeshka bashkohet me skuadrën, vetëm me vrapime rreth fushës, ndërsa Gurishta, Tafili kanë shfaqur probleme lëndimi si pasojë e ndeshjes së kaluar me Kamzën të luajtur të shtunën e kaluar në “Loro Boriçi”. Ndërkohë, Çinari, autori i golit të dytë ndaj Kamzës në “Loro Boriçi”, si rezultat i një dëmtimi të marrë gjatë seancës së djeshme, është detyruar ta lërë përgjysmë procesin, duke shkuar në dhomat e zhveshjes.

Analiza – Si zakonisht përpara fillimit të stërvitjes trajneri, skuadra ka zhvilluar analizën teknike të ndeshjes me Kamzën. Vetë rezultati pozitiv i arritur në këtë sfidë jo pak të vështirë ka diktuar automatikisht një situatë pozitive në gjirin e skuadrës. Ai që e ka drejtuar këtë analizë, ka qenë vetë trajneri Ernest Gjoka, duke pasur përkrah edhe kolegët e stafit teknik. Mungonin “të deleguarit nga kupola e klubit” apo edhe strukturave të tjera të institucionit vendor. Një praktikë kjo tashmë e njohur nga ana e teknikut Gjoka, e cila realisht nuk ka të bëjë me distancimin, apo ftohjen e tij me drejtuesit, por më së shumti një element i tij taktik për ta mbajtur skuadrën sa më larg ndikimeve, presionit psikologjik, që vjen në mënyra të tërthorta tek skuadra. Ashtu siç ka bërë edhe herë të tjera, tekniku Gjoka ka marrë në analizë të gjithë ndeshjen nga fillimi deri në fund, por edhe në raport sektorësh si dhe individësh në veçanti. Edhe pse përgjithësisht, opinioni për këtë ndeshje ka qenë pozitiv, për Gjokën ka pasur edhe situata që skuadra ka pasur luhatje, sidomos në momentet e pësimit të golave, gjë që është kërkuar riparimi i tyre për ndeshjet e ardhshme, duke filluar që nga ajo me Partizanin në transfertë.

Atmosfera – Pas përfundimit të minutave të analizës, skuadra është paraqitur në tapetin e gjelbër të stadiumit “Reshit Rusi”, duke “konsumuar” një seancë stërvitore të plotë në të gjitha aspektet e saj. Duke qenë se e diela, si një ditë pas ndeshjes ishte lënë tërësisht pushim, ngarkesat, përfshirë edhe ato fizike kanë qenë në masën e duhur. Nga sa është parë, skuadra i është përgjigjur teknikut Gjoka në mënyrën më të mirë, kjo falë edhe një atmosfere shumë pozitive, dhe po aq edhe entuziaste që ka përfshirë skuadrën pas fitores ndaj Kamzës. Një tre pikësh ky, që erdhi në momentin e duhur për kuqeblutë, pasi në rast se rezultati nuk do të ishte i tillë, atëherë ngërçi psikologjik në radhët e kuqebluve do të kishte qenë patjetër sërish prezent.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online