Vllaznia ra nga Kategoria Superiore dhe të gjithë menduan se më fund klubi do të shkundej fort dhe do të reagonte duke u zgjuar nga dremitja e një dekade. Nuk kishte sinjal më të fortë se zbritja në Kategorinë e Parë duke rrëzuar e më pas shkrirë ekipin e dytë. Klubi shkodran u fut në kolaps total.
Në fakt, kuqeblutë janë sërish në të njëjtën gjendje, pasi ende nuk është vendosur asnjë tullë në Vllazninë e ardhshme. E nëse bëjmë një krahasim me Tiranën e vjetshme, skuadra shkodrane është shumë më poshtë. Të paktën bardheblutë reaguan me presidentin Refik Halili që bëri disa ndryshime. Presidentja-Kryebashkiake, Voltana Ademi, nuk ka bërë ende asgjë, përveç disa deklaratave shfajësuse duke u viktimizuar deri në kockë. Pjesa tjetër, vrimë e madhe në ujë.
Disa mbledhje me figura të njohura të Shkodrës dhe asgjë! Privatizimi është një gënjeshtër e bukur, që do të përsëritet me shumë mundësi në fushatën e ardhshme elektorale të rivalit të Voltanës për Bashkinë e Shkodrës. Premtimet e presidentes se Vllaznia do të shitet në maj, në qershor, korrik, gusht, etj, etj janë të njëjta me ata të “lojtarëve-mercenarë” që në një anë shprehin dashurinë për klubin dhe premtojnë se do të qëndrojnë, ndërsa në krahun tjetër mundohem me mish e me shpirt të gjejnë ekipe të reja. Pak më burra, burra!
P.S. nuk folëm për ata që po presin me padurim të fusin në kthetrat e tyre klubin me forcë. Po, po, me forcë, pasi në Shkodër ende mbizotërojnë dhe vendosin të fortët. Ashtu si mund të vendosen këtë herë drejtorët teknikë, sportivë, por dhe trajneri!