Vllaznia largon Atsinën, sulmuesi e kërcënon në FIFA

Duke u bazuar në rregulloret e FSHF-së, UEFA-s dhe FIFA-s, kuqeblutë kanë vendosur të ndërpresin në mënyrë të njëanshme kontratën me sulmuesin ganez

Gaspër Marku

Kishte ditë të tëra që ishte paralajmërohej një gjë e tillë, por vendimi zyrtar për ndërprerjen e marrëdhënieve kontraktuale me futbollistin Çarls Atsina është zyrtarizuar dje. Gjithçka ka ardhur nga një moskorrektesa e futbollistit në fjalë, i cili sipas drejtuesve të klubit shkodran, nuk është paraqitur në kohë për përgatitjet e vitit 2018. Ka pasur disa mosmarrëveshjeve mes lojtarit ganez dhe klubit kuqeblu. Sipas informacioneve nga zyrat e klubit, lojtari duhej të ishte në Shkodër më 4 janar, kur duhej të niste përgatitjet me grupin, por ai nuk ishte në Shkodër, ku është paraqitur me shtatë ditë vonesë, kur skuadra ishte zhvendosur në Mal të Zi. Për këtë arsye, duke qenë se vetë futbollisti nuk i është bindur vendimit të klubit për ta vazhduar procesin stërvitor me Vllazninë B derisa skuadra të rikthehej nga Ulqini, drejtuesit kanë vendosur të ndërpresin kontratën me sulmuesin Atsina.

VENDIMI ZYRTAR

“KF Vllaznia bën të ditur se për shkaqe të ligjshme ka ndërprerë kontratën e punës me futbollistin Çarls Atsina. Lojtari në fjalë ka shkelur të gjitha pikat e kontratës sportive, por edhe ato të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, duke mos e respektuar atë. Fillimisht, duke u paraqitur me një javë vonesë në stërvitje. Ndonëse duhej të ishte në stërvitje me ekipin që me datë 4 janar, ai ka mbërritur në Shqipëri mbrëmjen e datë 10 janar 2018 dhe është paraqitur në zyrat e klubit një ditë më pas. Një shkelje e rëndë kjo e kontratës, sepse ekipi ndërkohë kishte udhëtuar drejt Malit të Zi për stërvitje. Në kushte të tilla, lojtari është autorizuar të dalë në stërvitje me ekipin B derisa ekipi i parë të kthehej nga Mali i Zi. Futbollisti e ka refuzuar një gjë të tillë dhe më pas, pavarësisht qortimeve dhe kërkesës së vazhdueshme për të respektuar kushtet e kontratës që ai vetë ka firmosur, ka vijuar të mos dalë në stërvitje me ekipin B. Vllaznia, duke respektuar të gjitha rregulloret e FSHF-së, UEFA-s  e FIFA-s, ka vendosur të ndërpresë në mënyrë të njëanshme kontratën. Vendimi i është bërë i ditur sportistit dhe autoriteteve përkatëse. Kësisoj, Atsina nuk është më futbollist i Vllaznisë.”

KËRCËNIMI I ATSINËS – Klubi kuqeblu ka shkëputur të gjitha lidhjet me Atsinën, i cili erdhi te Vllaznia në verë, por gjithçka u prish në ditët e para të 2018-ës. Kjo është njëra anë e medaljes, pasi Atsina nuk është dakord me vendimin e klubit. Mes palëve mësohet se ka pasur disa herë përpjekje për konsensus në ndërprerjen e kontratës, madje edhe me dhënien e një dëmshpërblimi nga Vllaznia, por lojtari dhe menaxheri i tij nuk kanë qenë dakord me shifrat. Atsina vazhdon të jetë në Shkodër dhe çështjen në fjalë ka ndërmend ta dërgojë në FIFA. Gjithsesi, edhe nëse ndodhë një gjë e tillë, me dokumentacionin që ka në dispozicion, drejtuesit e klubit janë të bindur se për vendimin marrë është gjithçka konform rregullores dhe ligjit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *