Të hënën Vllaznia pret në stadiumin “Loro Boriçi” Flamurtarin dhe kjo është një tjetër “finale” për kuqeblutë. Fitorja është rezultati i vetëm që u bën punë, ndërkohë që për trajnerin Ernest Gjoka shtohet një mungesë të rëndësishme.
Mbrojtësi Renato Malota protestoi pas golit të Laçit dhe gjyqtari Olsi Sokoli i tregoi kartonin e verdhë. Ky ishte i dyti për lezhjanin me fanellën e Vllaznisë, por në pjesën e parë të sezonit ai është ndëshkuar dy herë me Partizanin, ndaj do të munojë kundër vlonjatëve.
Një problem jo i vogël për Vllazninë, sepse Malota është kthyer në një lojtar kyç në qendër të mbrojtjes, duke u ambientuar mirë dhe duke përmirësuar nga java në javë kombinimin me Sedat Berishën, edhe ky i afruar në janar.
Fitorja e Teutës në Kamzë ka shtuar ndjeshëm presionin te Vllaznia, që të hënën do të detyrohet të luajë për fitore, duke shpresuar ndërkohë që Teuta të mos fitojë ndaj Partizanit.