Vllaznia gjen akordin me Krymin, vjen firma

Tek kuqeblutë e Cungut i vetmi që ka mbetur pa firmosur në kontratë është portieri Selimaj, që sezonin e kaluar ka qenë titullar në ekip

Gaspër Marku

Ka marrë fund edhe dilema e qëndrimit apo jo në gjirin e Vllaznisë të mesfushorit shkodran Ardit Krymi. Futbollisti, i dalë nga ekipet e Akademisë Vllazina dhe i konsideruar si një nga lojtarët më me perspektivë të kuqebluve, ka arritur mirëkuptimin me drejtuesit e klubit shkodran dhe pasditen e së premtes ka firmosur kontratën përkatëse.

DEKLARATA E KLUBIT
“Ditën e sotme, KF Vllaznia ka rinovuar një tjetër kontratë me një nga futbollistët aktualë të saj. Bëhet fjalë për mesfushorin Ardit Krymi. Mesfushori 21 vjeçar ka firmosur sot kontratën e re. Ai në fakt ka qenë nën kontratë me klubin tonë deri në maj të vitit 2019, por ndërkohë me kontratën e re, ai do të jetë edhe për një sezon më shumë pjesë e Vllaznisë. Kjo vërteton më së miri interesimin e klubit për lojtarët e dalë nga Akademia të cilët jo vetëm promovohen ashtu si duhet, por edhe konsiderohen pjesë e rëndësishme e projektit tonë për të ardhmen”

Bisedimet kishin ditë që ishin bërë, por vetëm dje është arritur akordi, që i ka çuar të dy palët në firmosjen e kontratës zyrtare. Në këtë mënyrë me firmën e Ardit Krymit pozicioni i mesfushorit-shkatërrues do të jetë i garantuar në skuadër, ndërsa lojtari e ka bërë mirë këtë detyrë sezonin e kaluar. Krymi dhe Selimaj kanë qenë dy futbollistët titullarë të Vllaznisë të sezonit të kaluar, që kishin mbetur akoma pa firmosur zyrtarisht për klubin e tyre kuqeblu.

Me zyrtarizimin e Krymit tashmë ka mbetur vetëm portieri Erind Selimaj pa e përfunduar këtë proces. Drejtuesit e klubit shkodran bëjnë të ditur se edhe me Selimajn bisedat janë në rrugën e duhur dhe se shumë shpejt edhe me gardianin shkodran do të firmoset kontrata përkatëse. Dhe vetëm në këtë mënyrë skuadra kuqeblu do të mund të marrë formën e duhur përpara se ajo të udhëtojë jashtë vendit për fazën përgatitore.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *