Pas një pritjeje të gjatë, Vllanzia duket se është gati për të nisur nga puna. Një gjë të tillë e konfirmojnë edhe burime pranë bashkisë Shkodër, të cilët bëjnë të ditur se duke nisur nga e hëna pritet që futbollistët të zbresin në fushën stërvitore. Por, përpara se të ndodhë një gjë e tillë duhen zyrtarizuar drejtuesit e rinj të klubit, një problem që në fakt ka qenë jo pak shqetësues për drejtuesit bashkiakë. Kjo, për faktin se në garë për vendet vakant, atë të administratorit, drejtorit sportiv dhe të trajnerit kanë qenë në garë emra të shumtë që i përkasin futbollit shkodran. Ndër to, posti i administratorit ka pasur një stabilitet më të madh duke pasur parasysh sepse emri i Suad Licit ka marrë OK e pjesës më të madhe të njerëzve të sportit.
Ndërkohë, për dy vendet e tjera, atë të drejtorit sportiv dhe të trajnerit konkurrenca ka qenë më e madhe. Krahas Taip Piraniqit, i dalë në skenë në periudhën e takimeve të kryebashkiakes me njerëzit e sportit, gjatë periudhës së fundit për këtë post janë lakuar edhe Vioresin Sinani dhe Alban Neziri. Për këtë të fundit u tha se do të ishte ai drejtori i ri sportiv i Vllaznisë, por të njëjtat burime bëjnë të ditur se për këtë post është propozuar edhe Vioresin Sinani.
Ndërkohë, ajo që e bën më te komplikuar situatën në kampin kuqeblu ka të bëjë me postin e trajnerit të ekipit të parë të Vllaznisë, ku në kuadrin e disa kandidaturave të tëra shkodrane, mësohet se nga burime pranë bashkisë më pranë këtij posti është trajneri aktual Ervis Kraja. Por, të njëjtat burime konfirmojnë se gjatë dy ditëve të fundit ka pasur lëvizje në këtë drejtim duke nxjerrë në skenë emrin e Hasan Likës. Një trajner ky që e ka drejtuar edhe më parë Vllazninë dhe së fundmi drejtoi Luftëtarin e Gjirokastrës në sezonin futbollistik 2017-2018.
Pamarësisht diskutimeve për rivalitetin e emrave që pretendojnë dy postet drejtuese, atë të drejtorit sportiv dhe trajnerit, zyrtarizimi i të cilëve është çështje orësh, e rëndësishme është që java e fundit e korrikut do ta gjejë Vllazninë në stërvitje. Gaspër Marku