Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, po has vështirësi shumë më të mëdha nga sa e mendonte në Shkodër, ku ka gjetur një ambient të demoralizuar dhe një skuadër me probleme, mbi të gjitha për faktin se ka tepricë lojtarësh në mesfushë e shumjë pak lojtarë sidomos në sulm.
Pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, me fitoren 1-0 ndaj Tiranës sot, që nuk mjaftoi për të ekuilibruar sfidën (humbje 2-0 në Tiranë), Gjoka i zhgënjyer u shpreh për mediat: “Gjeta një ekip me probleme, po mundohemi ta nxjerrim nga vështirësia, kërkoja të bëja diçka në këtë skuadër. Ne kemi dhënë maksimumin dhe kjo u pa sot. Jemi duke u munduar të rregullojmë problemet dhe po presim merkaton për ta arritur këtë gjë. Nëse nuk do të mbështetem në merkaton e janarit, atëherë do të rishikoj pozicionin tim. Tashmë duhet të fokusohemi menjëherë në ndeshjen e radhës në kampionat. Dëmtimet na kanë penalizuar shumë nga mbrojtja në sulm, por skuadra duhet t’i lërë pas këto rezultate negative dhe duhet të ringrihet duke dalë nga ngërçi psikologjik”.