Ka një qëndrim të përbashkët të klubeve shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Është e papërballueshme të organizohet një kampionat pa bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, pasi rendi dhe siguria nuk mund të garantohet me forca sigurie private dhe kjo për një sërë faktorësh, duke nisur nga ai ekonomik e deri te vështirësia për të gjetur kompani të afta për të marrë përsipër mbarëvajtjen e ndeshjeve.
Vllaznia, që garon në Kategorinë e Parë, dënon dhunën e ndodhur pas ndeshjes Kamza-Laçi, ku u godit gjyqtari Eldorian Hamiti. Gjithashtu klubi shkodran bën thirrje që Policia e Shtetit të rikthehet në stadiume.
“KF Vllaznia, si pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit shqiptar, nuk mund të pajtohet kurrsesi me aktet e dhunës që po vërehen javët e fundit në futbollin shqiptar. Në veçanti, KF Vllaznia dënon dhunën e ushtuar ndaj arbitrit në ndeshjen e vlefshme për Kategorinë Superiore, Kamza- Laçi.
Njëkohësisht, mbështesim kërkesën e FSHF-së për rikthimin e Policisë së Shtetit sërish në stadiume sepse duke parë kushtet ku ndodhet Shqipëria, vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet mbarëvajtja e futbollit shqiptar”, shkruhet në deklaratën e klubit shkodran.