Në gjysmëfinalen e luajtur mes Gremios dhe River Plejt, në pushimin e ndeshjes në dhomat e zhveshjes u fut trajneri i këtyre të fundit, i cili ishte i dënuar. Një veprim i dënueshëm, pasi u thye rregullorja, madje Gremio pretendoi fitoren në tavolinë, pasi River Plejt arriti që të shkonte në finale.
Ka ardhur dhe vendimi, që e ka lënë duarbosh Gremion, pasi trajneri Marselo Galardo është pezulluar me 4 ndeshje. Tekniku argjentinas nuk do të jetë në asnjërën prej dy finaleve që skuadra e tij do të zhvillojë ndaj Boka Zhuniors. Skuadra e Gremios kishte kërkuar fitoren në tavolinë, megjithatë kjo gjë është hedhur poshtë dhe nuk është konsideruar si një shkelje që të shtynte organizatorët të ndërmerrnin një masë të tillë.
Nëse River Plejt do të arrijë të fitojë këtë trofe, atëherë trajneri do të rikthehet në stol në Kupën e Botës për Klube, ndërsa pjesën e mbetur të dënimit do ta shlyejë në kualifikueset e edicionit të ardhshëm të Kupës së Libertatores