Ish-sulmuesi i Luftëtarit ka udhëtuar me skuadrën dhe mezi pret të luajë. Trajneri vlonjat vlerëson Skënderbeun, por thekson skuadra e tij synon rezultat pozitiv
Vladimir Prenga
Fitorja me Vllazninë riktheu normalitetin në Laç, por sot kurbinasit kanë një ndeshje të vështirë në transfertë me Skënderbeun kryesues të kampionatit. Bardhezinjtë gjatë këtyre dhjetë ditëve kanë punuar të qetë dhe tashmë janë gati për përballjen me bardhekuqtë. Historia dhe statistikat janë kundër tyre, por janë vetëm 90 minuta që do të vendosin fituesin dhe te Laçi janë përgatitur për të dhënë më të mirën në fushën e blertë.
MEZANI – Pas seancës së djeshme stërvitore, trajneri Gentian Mezani ka folur për ndeshjen me korçarët, kundërshtar që ka marrë vlerësimin e duhur nga ana e kurbinasve. “E thashë që pas ndeshjes së shkuar se me Vllazninë morëm vetëm një fitore. E rëndësishme është vazhdimësia e rezultateve pozitive dhe ne do të bëjmë më të mirën në sfidën me Skënderbeun. Skuadra gjatë kësaj periudhe është përgatitur mirë, atmosfera në ekip ka qenë e duhura, kjo ndikuar edhe nga rezultati pozitiv i ndeshjes së shkuar. Gjithsesi ajo ka përfunduar dhe ne kemi nisur menjëherë të mendojmë për përballjen me korçarët”, u shpreh fillimisht trajneri vlonjat, që më tej flet për kundërshtarin dhe objektivat e skuadrës së tij. “Skënderbeu dihet kush është. Kanë një skuadër cilësore, që ne e vlerësojmë. Normalisht edhe fakti që luajnë në shtëpinë e tyre i favorizon, por ne nuk kemi arsye ta mbivlerësojmë. I kemi dhënë vlerësimin e duhur kundërshtarit dhe ne kemi udhëtuar drejt Korçës për të bërë lojën tonë. Synimi ynë është që të marrim pikë dhe do bëjmë maksimumin. Në një ndeshje futbolli janë tri rezultate dhe nuk ka arsye të mos besojmë. Shpresojmë shumë që të marrim një rezultat pozitiv në këtë takim, që sigurisht është ndër më të vështirët për shumë arsye. Gjithsesi, siç e thashë edhe më parë, ne jemi të vendosur të bëjmë atë që dimë dhe në fund do duhet të pranojmë rezultatin që do të prodhojë fusha e blertë”, deklaron Mezani, që haptazi lë për të kuptuar që për bardhezinjtë kjo ndeshje nuk do të jetë një shëtitje.
REXHINALDO – Sulmuesi mozambikas pritet ta nisë si titullar ndaj Skënderbeut, ndërkohë që me anë të llogarisë së tij në “Facebook” i falënderon të gjithë për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë kësaj periudhe që ka qenë i dëmtuar. “Jam kthyer! U deshën gjashtë (6) javë të rikuperohem. Jam i lumtur dhe i gatshme të kthehem për të konkurruar dhe për të ndihmuar ekipin tim. Pas humbjes së katër (4) ndeshjeve të para për shkak dëmtimi, nesër do të jetë ndeshja ime e parë zyrtare si një lojtar i Laçit. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen tuaj”, shkruan Rexhinaldo, prej të cilit Laçi pret shumë.
PËRGATITJET– Ashtu si javën e shkuar, trajneri vlonjat ka bërë disa prova gjatë përgatitjeve, më e fundit në seancën e djeshme stërvitore. Nuk ka të bëjë me fshehjen e formacionit, por më së shumti me marrjen e informacionit të nevojshëm për ndërtimin e tij. Tekniku Mezani i ka parë gjithë lojtarët e tij dhe në kokën e tij e ka krijuar një ide se si do të luajë skuadra. Me ekipin dje janë bashkuar edhe Selmani, Kallaku dhe Duka, me dy të parët që kanë udhëtuar drejt Pogradecit me ekipin. Sot kurbinasit do të udhëtohet drejt Korçës, aty ku prej orës 17:00 do të përballen me bardhekuqtë në stadiumin “Skënderbeu”.
Formacioni i mundshëm: Selmani, Ademir, Qaqi, Gjoni Sefgjini, Nika, Lushkja, Bardhi, Jonuzi, Uzuni, Rexhinaldo