Viti plot evente për futbollin në Shqipëri, nga Kombëtarja e Ligës së Kombeve te finalja e Conference League

Futbolli shqiptar do të ofrojë këtë vit një kalendar plot me evente dhe ndeshje të rëndësishme, të gjitha për t’u shijuar nga sportdashësit shqiptarë. Emocionet e futbollit kuqezi do të nisin që në shkurt me dy ndeshje miqësore të Kombëtares U-17 të drejtuar nga Ervin Bulku, që do të përballet me Italinë U-17 në Koverçano. Një mundësi e mirë për kuqezinjtë e vegjël që do të kenë shanset për të matur forcat me një skuadër me nivel të lartë botëror siç është Italia. Takimet do të luhen më 22 dhe 24 shkurt.

Muaji mars rezervon disa data të rëndësishme, që shënojnë edhe fillimin e disa kompeticioneve zyrtare të UEFA-s për përfaqësueset e moshave.  Fillimisht, Kombëtarja U-17 e femrave do të luajë tre sfidat e Europianit U-17 përkatësisht ndaj Azerbajxhan (08 mars 2022), Skocisë (11 mars 2022) dhe Maqedonisë së Veriut (14 mars 2022). Të treja këto sfida do të luhen në Shqipëri, teksa UEFA ia ka besuar FSHF-së organizimin e ndeshjeve të grupit. Më pas është radha e Kombëtares U-21 që të zhvillojë dy ndeshjet e eliminatoreve të Europianit U-21 ndaj Çekisë më 25 mars dhe Anglisë më 29 mars. Më datat 26 dhe 29 mars, Kombëtarja A do të zhvillojë dy miqësore me peshë respektivisht ndaj Spanjës dhe Gjeorgjisë.

Më pas në prill është radha e Kombëtares U-19 për femra që të luajë tre ndeshjet e eliminatoreve të Europianit U-19 duke sfiduar Izraelin (5 prill 2022), Qipron (8 prill 2022) dhe Turqinë (11 prill 2022). Po në prill Kombëtarja shqiptare e futsallës do të jetë e impenjuar në Paraeliminatoret e Kupës së Botës së Futsallit 2024. Shqipëria e drejtuar nga trajneri Erind Resuli, është shortuar në Grupin E dhe përballë do të ketë Suedinë, Andorrën dhe Austrinë. Turneu paraeliminator do të zhvillohet në muajin prill në Suedi, nga data 4 deri në 13 prill, ndërsa çiftet e ndeshjeve mbeten për t’u përcaktuar. Ky muaj do të mbyllet me ceremoninë e titullit kampion të kampionatit të femrave 2022.

Muaji maj do të kulmojë me ngjarjen më të madhe futbollistike të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Finalja e parë historike e turneut më të ri të UEFA-s, Europa Conference League do të luhet në stadiumin “Air Albania” të Tiranës më 25 maj. Një event gjigand që do ta sjellë Shqipërinë në qendër të vëmendjes botërore për disa ditë më radhë e që do të sjellë në kryeqytet tifozë e personalitete nga e gjithë Europa. Po në maj do të zhvillohen edhe ceremonitë e shpalljes së skuadrave kampione në kampionatet “Abissnet Superiore”, Kategoria e Parë, Kategoria e Dytë, finalja e Kupës së Shqipërisë si edhe kampionët e moshave.

Në qershor Kombëtarja do të nisë rrugëtimin e saj në edicionin e tretë të Nations League, teksa në harkun e dy javëve të para të muajit do të zhvillojë ndeshjet ndaj Izraelit, Islandës dhe dy herë me Rusinë. Pas sfidës tradicionale të Superkupës në muajin gusht, ku përballë do të vihen fituesit e kampionatit me fituesit e Kupës së Shqipërisë, futbolli ndërkombëtar rikthehet në shtator me sfidat e fundit të Kombëtares në Nations League ndaj Izraelit e Islandës. Po në shtator Shqipëria U-19 do të zhvillojë ndeshjet e grupit 7 në eliminatoret e Europianit 2022-2023, ku përballë do të ketë Spanjën, Belgjikën dhe Rusinë. Ndeshjet e grupit do të luhen në Belgjikë në datat 21, 24 dhe 27 shtator 2022.

Në tetor, është radha e Shqipërisë U-17 të nisë aventurën e saj në fazën kualifikuese të Europianit 2022-2023 të kësaj moshe. Shorti e ka vendosur Kombëtaren shqiptare në Grupin 7 së bashku me Suedinë, Kroacinë dhe Uellsin me ndeshjet e kualifikueseve që do të zhvillohen në Kroaci në datat 20, 23 dhe 26 tetor 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online