Viti i artë, korçarët arkëtojnë miliona

Tre ndeshje pa humbje në grup, mbrëmë erdhi qershia mbi tortë, me 360  mijë euro të tjera në llogaritë e Skënderbeut. Totali i këtij edicioni në Europa League, thuajse 4 milionë euro!

Një çmenduri: suksesi në Europë vlen shumë, jo më për imazh e lavdi, si një herë e një kohë, sepse UEFA të pasuron po shkove larg. Ikën kohërat kur pjesëmarrja në Europë quhej sukses kalimi i një turi. Iku koha kur të gjithë kujtonin se jemi “fshati”, që duhet të vjedhë ndonjë thërrime në qytet e të kthehet në shtëpi. Jo, tani jemi edhe ne qytet, sidomos falë Skënderbeut, që po na nderon të gjithëve dhe veten, por natyrisht po pasurohet, rrjedhojë e një tjetër viti historik për klubin korçar. Kur në maj titulli iku nga duart me atë finale dramatike në Kukës, ndërsa ishte hequr edhe titulli i një viti më parë, të gjithë menduan se Skënderbeu do të tronditej keqas e do të niste rrënimi. Nuk pyeti askush Ardjan Takajn, i cili nuk është thjesht president futbolli, por është një llogaritar dhe tashmë një mjeshtër i ndërtimit të një klubi serioz dhe një skuadre të suksesshme, në fushë dhe në financa.

VERA E ÇMENDUR – Nisja ishte e lehtë, kundër San Zhulias nga Andorra. Kualifikim dhe 215 mijë euro të arkëtuara. Më pas filluan ndeshjet e vërteta dhe kalimi i Kairat Almatit futi në arkat e Skënderbeut edhe 225 mijë euro. Mbërritja në turin e tretë qetësoi Takajn, aty e tutje nuk ishte më detyrim suksesi. Megjithatë, oreksi vjen duke ngrënë dhe kalimi i Mlada Boleslavit ishte sinjali më i qartë se duhej besuar. 235 mijë euro të arkëtuara për Mladën e çuan fitimin për 3 ture në 675 mijë euro, por “dasma” sapo kishte nisur.

TRIUMFI NDAJ DINAMOS – Skënderbeu u bind se vlente kur eliminoi Mladën, ndaj vendosi ta provonte dhe e bëri, duke eliminuar bujshëm Dinamon e Zagrebit, atë rival që pak vite më parë e turpëronte. Historia ka ndryshuar, Skënderbeu ka ndryshuar. 2.6 milionë euro të arkëtuara vetëm për kualifikimin në grup, një shifër e çmendur, buxheti i disa sezoneve bashkë në Shqipëri. Më mirë se kaq nuk kishte ku të shkonte, Skënderbeu u lodh shumë deri në fund të gushtit dhe kampionati nuk mund të anashkalohej. Por, nuk mbaroi aty…

GRUPI SHTON MILIONAT – Pas qindra e mijëra eurove të arkëtuara deri në fazën e grupeve, Skënderbeu tregoi se nuk është inferior ndaj askujt dhe me pak fat mund të ishte shumë më lart në renditje. Gjithsesi, 5 pikët vlejnë shumë, jo thjesht për historinë, por mbi të gjitha sepse shtojnë edhe 600 mijë euro në arkat e klubit korçar. Nuk ka mbaruar ende, por edhe nëse vjen humbja në Zvicër në ndeshjen e fundit, bilanci është spektakolar: më shumë se 3.8 milionë euro fitime në Europë, në pak muaj! Natyrisht, premio ka pasur në çdo tur e në çdo rezultat pozitiv në grup, po ashtu shpenzime ka pasur plot, por e sigurt është që rreth 3 milionë euro përfundojnë në bilanc si fitim neto, çka do të thotë se tre sezonet e ardhshëm të Skënderbeut janë të mbuluar që tani. Takaj i bën mirë llogaritë…

FITIMET E SKËNDERBEUT NË EUROPË

675 mijë euro – kalimi i tre tureve në Europa League këtë verë

2.6 milionë euro – kualifikimi për në fazën e grupeve

600 mijë euro – 5 pikët e grumbulluara në grup

TOTAL – 3.8 MILIONË EURO

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *