Trajneri i Skënderbeut bën bilancin në një rrëfim të gjatë dhe “mundues”, ashtu si thuajse këto 360 ditë që do të mbyllen së shpejti. “Kemi të drejtë të pushojmë, pasi kemi bërë dy kampionate…”
Leonard Trebicka
Në Korçë jetohet shëndetshëm, qetë, por sidomos pa presione, smog dhe zhurma… Në Korçë mund të përgatitësh një ndeshje në kushtet ideale, teksa ka vetëm një problem, i ftohti. E megjithatë, kur del kampion dimri, të “dridhurat” i hypin kundërshtarëve, por sepse “ngrica” dhe pikët minus që kanë i shkaktojnë “ethe”. Për Ilir Dajën, ky vit që sapo u mbyll mbetet i suksesshëm, edhe pse shumë i lodhshëm, sidomos me Europa League. Merkato, e ardhmja, zërat, lojtarët, objektivat por edhe shpresa e tij për 2018-n. Trajneri i Skënderbeut rrëfehet për “Sport Ekspres” dhe e bën me fytyrën e atij që dhuron buzëqeshje dhe dashuri për vitin që do të vijë…
Daja dhe Skënderbeu mbyllin me shumë suksese vitin 2017-të. Komenti juaj?
Së pari dua të them besoj se e meritonim. Kemi që nga momenti që kam marrë drejtimin e Skënderbeut që të gjithë bashkë kemi punuar fort, sepse pa punë, pa lodhje nuk mund të arriheshin këto rezultate që ne kemi arritur tani që po bëjmë edhe bilancin në fund të vitit 2017-të.
Kur erdhët te Skënderbeu, e kishit menduar që në harkun kohor të një viti do të kishit këtë ecuri?
Për të qenë i sinqertë, kur mu dha mundësia të drejtoj Skënderbeun e dija që do të drejtoja së pari një ekip me shumë kualitete brenda dhe me shumë eksperiencë. Pavarësisht rezultateve jo fort të mira që arritëm në fundin e kampionatit të kaluar që u mbyll në muajin maj ne punuam edhe më fort. Por kur e prek me dorë një ekip ashtu siç e preka edhe unë gjërat u përmirësuan javë pas jave dhe jemi këtu ku jemi falë kualiteteve që posedonte kjo skuadër. Gjithçka u arrit vetëm falë punës.
Kush i merr meritat më të mëdha, Daja, presidenti Takaj apo lojtarët?
Çelësi i këtij suksesi është bashkëpunimi, teksa secili ka bërë punën e vet. Pa diskutim që presidenti dhe më pas lojtarët që janë aktorët kryesorë, por edhe shtypi që ka qenë shumë aktiv dhe deri te punëtori më i thjeshtë i këtij klubi.
Pas ndeshjes së fundit ndaj Teutës jeni larguar me shpejtësi nga Korça për të filluar pushimet. Mos ndoshta mezi i prisnit këto pushime?
Të them të drejtën ishte momenti i duhur për të pushuar, pasi kemi bërë dy kampionate së bashku. 16-të javë kemi luajtur në Superiore dhe 14 ndeshje në Europë. Me pak fjalë ishte vërtet një lodhje e madhe dhe prandaj mezi po i prisnim këto pushime.
Më 4 janar mbushni vitin e plotë te Skënderbeu në stol, çfarë ju ka mbetur në mendje nga ky vit?
Përveç atyre që theksova më sipër (sidomos lodhja e madhe), kur rezultatet vijnë, ja vlen ç’do gjë. Në Korçë mbi gjithçka kam gjetur kënaqësi në drejtim. Kulturë dhe qytetari dhe është për mua qyteti më i këndshëm. Në aspektin sportiv rezultatet që kemi arritur në këtë gjashtëmujor të dytë kanë ardhur gjithmonë në ngritje. Për mua është historike kalimi i katër tureve dhe mbërritja deri në fazën e grupeve të Europa League. Jemi me diferencë të konsiderueshme pikësh në kampionat dhe për të gjitha këto jam shumë i kënaqur.
E mbyllët me 9 pikë diferencë nga vendi i dytë. Meritonit më shumë se kaq, apo rivalët nuk janë atje ku duhet dhe keni këtë diferencë?
Ne si klub fokusohemi vetëm te puna jonë dhe nuk flasim për rivalët. Kemi bërë mirë, por mos harroni se ka edhe shkëlqyeshëm dhe këtë do të pretendojmë të arrijmë në të ardhmen.
Çfarë pengu ka Daja në këtë vit, qoftë në Europë apo në Superiore?
Edhe sezonin e kaluar bëmë një kampionat shumë të mirë, por për mënyrën se si e dorëzuam trofeun në atë ndeshje në Kukës, për mua është pengu im. Një tjetër peng është ai që në fazën e grupeve të Europa League mund të kishim grumbulluar edhe më shumë pikë, por për ekipin që drejtoj, pra për futbollistët nuk kam asnjë peng, pasi të gjithë lojtarët e kanë kryer punën vërtet mirë.
Fitorja më e madhe për ju në 2017-ën dhe humbja më e hidhur që keni marrë. i kujtoni?
Çdo fitore ka bukurinë e vet. Ka lënë gjurmë pa diskutim ajo fitore mbrëmje në “Elbasan Arena” ndaj Dinamos së Zagrebit dhe ne arritëm që të siguronim kalimin në grupet. Ka qenë fitorja më e madhe. Humbja më e hidhur, ka qenë pa asnjë mëdyshje ajo humbje në Kukës. Në fakt, nuk ishte humbje, pasi dihet sesi e morëm dhe e panë edhe gjithë shqiptarët. Akoma në mendje më ka mbetur ajo ndeshje.
Cilët kanë qenë lojtarët që ju kanë zhgënjyer?
Unë në fakt nuk dua të flas për zhgënjimet, pasi në fund të fundit kemi pasur ecuri shumë pozitive. Por, ka lojtarë që kanë mbetur të pakënaqur nga unë, pasi nuk më janë përshtatur me skemat dhe fizionominë time.
Po ata lojtarë që kanë spikatur dhe që nuk kanë gabuar në asnjë moment gjatë këtij viti?
-Që nga kapiteni Orges Shehi që ka më shumë eksperiencë se gjithë të tjerët dhe më pas Radas, Jashanica, Vangjeli, Lilaj, Osmani, Soue, Taku, Muzaka, Xhejms, Gavazaj, por edhe të tjerë që nuk i përmenda në këtë moment. Secili ka dhënë maksimumin për këtë Skënderbe.
Lojtari më i mirë te Skënderbeu sipas Dajës? Po ai që nuk ka përmbushur asgjë nga ato që keni kërkuar ju si trajner?
Nuk mund t’i kategorizoj ashtu si edhe ju më pyesni, por shtylla e skuadrës është Shehi. Kjo pas paraqitjeve nga ana sportive, pavarësisht moshës, dhe që është lider brenda ekipit. Nuk do të doja aspak që të përmendja atë që nuk i ka përmbushur, pasi te Skënderbeu të gjithë ata që e kanë veshur këtë fanellë kanë ardhur me merita, por që nuk kanë gjetur veten dhe kjo është diçka tjetër. Mosmirënjohja është ajo që spikat dhe le gjurmë, por nuk po qëndroj aspak te kjo pjesë.
Po Donjet Shkodra?
Do bëjmë analizë pas disa ditësh dhe duke parë edhe interesin e Skënderbeut e më pas të lojtarëve, do të veprojmë. Nëse do të kemi prurje të reja në janar, atëherë do të shikojmë në vazhdim për merkaton në lidhje me ata që do të huazojmë.
Përpara disa javësh dolën thashetheme se Takaj dhe Daja patën marrëdhënie të “krisura”. U trembët në atë moment se mos ndoshta do të largoheshit?
Nuk ka qenë një lajm i vërtetë, pasi ka qenë vetë presidenti Ardjan Takaj që e ka sqaruar me prononcimin e tij. Skënderbeu mua më pëlqen shumë.
Daja, ke mbërritur në krye të Skënderbeut më 4 janar të vitit 2017. E keni menduar ditën se kur mund të largoheni?
Dihet që puna e një trajneri ka kohë të caktuar. Këtu te Skënderbeu ka gjetur kushte të shkëlqyera dhe nga të gjitha anët bën diferencën me të gjitha ekipet e tjera të Superiores. Të mendohem për t’u larguar? Nuk e kam bërë një gjë të tillë, nëse do ta bëja do ta thosha.
Kalojmë te merkatoja dimërore. Kur do të zyrtarizohet blerja e parë dhe sa afrime keni menduar të bëni?
Këtë fundjavë e kemi pushim, ndërkohë nga java e ardhshme do të flasim me presidentin për të vendosur për huazimet, apo edhe për afrimet në skuadër.
Ju keni thënë që do të ketë huazime nga Skënderbeu te skuadrat e tjera. Tani që përfundoi ky vit, do të na e thoni se cilët janë këta lojtarë?
Do të studiojmë me shumë kujdes minutazhin për çdo futbollist, ekipet që duan huazime nga ana e Skënderbeut, por pasi të kemi plotësuar së pari organikën. Skënderbeu është më i rëndësishëm dhe parësori përpara veprimeve që do të bëjmë.
Më 3 janar 2018-të kur të filloni grumbullimin në Durrës, cilët lojtarë keni lajmëruar që të mos vijnë më për të mos qenë pjesë e ekipit?
Nuk kemi lajmëruar asnjë. Kemi përcaktuar vetëm datën se kur do të fillojmë grumbullimin që është 3 janari i ardhshëm. Madje kam bërë edhe programin individual për ç’do lojtar dhe ua kam shpërndarë. Asgjë tjetër përveç këtyre nuk kemi bërë apo kemi menduar.
Viti 2018, si do ta gjejë Dajën dhe Skënderbeun?
Një ekip si Skënderbeu por edhe unë nuk kënaqemi asnjëherë me atë që kemi arritur. Besojmë që do të luftojmë fort të rrisim cilësinë e lojës dhe të përmirësojmë ato që nuk kanë qenë në nivelin që duheshin në vitin që po lemë pas.
Flamurtari, Kukësi, apo edhe Partizani, na thoni një koment për këto skuadra?
Besoj që të tre këto ekipe që ju përmendët, pavarësisht se çfarë kanë bërë deri tani, janë rivalët tanë. Ne duhet të bëjmë punën tonë deri në fund dhe kjo na intereson më shumë se këto emra skuadrash që ju përmendët.
Titulli kampion më i lehtë në muajin maj, teksa kryesoni deri tani bindshëm me 9 pikë më shumë se Flamurtari i vendit të dytë?
Do të jetë gabim shumë i madh nëse do ta mendojmë të mbyllur çështjen e titullit që në këtë moment. Të luftojmë më fort në pjesën e mbetur të Superiores dhe unë besoj që do të jemi më mirë pasi pres që gjërat të shkojnë në progres. 2018-ta pa diskutim që do të kërkojmë të jetë edhe më i mirë se ky vit që po ikën.
Daja, faleminderit për intervistën dhe gëzuar edhe nga “Sport Ekspres”!
Nëpërmjet gazetës suaj uroj gjithë korçarët, të gjithë sportdashësit brenda dhe jashtë vendit, ata që na kanë mbështetur shumë në Europa League. Madje të gjithë shqiptarët kudo ku janë: Gëzuar e një vit të mbarë dhe sa më shumë gëzime vitin e ardhshëm për të gjithë. Gëzuar edhe ju si media.
Lilaj
“E ka merituar plotësisht çmimin “Lojtari i Vitit”. Nëse do të shikohet me vëmendje ky lojtar, ka qenë i vetmi futbollist i Superiores që luajti edhe në formacion në atë ndeshje të fundit në Turqi. Përveçse Sabjeni është një lojtar me shumë cilësi, është futbollist shumë korrekt dhe e meritonte edhe këtë trofe tjetër që mori”
Korça
“Kam kaluar vërtet mirë. Respektin e ndjej në çdo ambient kur dal në këtë qytet. Me takojnë të gjithë, më përgëzojnë dhe unë ua kthej me të njëjtën mënyrë, pasi respekti mbi të gjitha është reciprok”
Takaj
“Kam marrëdhënie korrekte pune. Nuk kemi debatuar ndonjëherë. Nuk kemi shkëmbyer fjalë, por dhe kur kemi debatuar ndonjëherë ka qenë vetëm për punën me argumente. Mbi gjithçka kanë qenë shumë korrekte marrëdhëniet mes presidentit dhe meje, por edhe ato të miat me presidentin”
Nespor
“Ne si klub veprojmë në bazë të rregullave. Ai duhet të arrijë marrëveshje me klubin, ndërkohë ajo që dua të them është se që nga vera e kaluar dhe deri në ndeshjen e fundit nuk ka qenë prezent”