Villareali ishte shumë pranë një tjetër mrekullie pas eliminimit të Juventusit dhe Bayern Munchen. Spanjollët arritën që të mposhtnin edhe Liverpulin me shifrat 2-0 në pjesën e parë, por anglezët përmbysën gjithçka në të dytën. Megjithatë te spanjollët ka shumë pretendime sa i përket arbitrit Danny Makkelie që sipas tyre ka ndikuar në rezultat. Shefi ekzekutiv i Villareal, Fernando Roig Nogueroles, ka thënë se kryesori i takimit ishte i njëanshëm me vendimet e tij.
“Ishte një penallti skandaloze që duhej të jepej për Lo Celson, nuk shoh asnjë interpretim tjetër për të mos e dhënë. Arbitri ishte gjithmonë në favorin e Liverpulit dhe dukej nga vendimet e vogla që shkonin për ta. Ka pasur tre faulle afër zonës në pjesën e parë. Nuk dua ta përdor si justifikim, Liverpuli na mundi sepse ishin superiorë karshi nesh, por ky arbitër nuk ka nivel për një ndeshje të këtij kalibri”, tha Fernando. /Sport Ekspres/