Kamza e sezonit të rii është një mister që pritet të zgjidhet. Stoli nuk ka ende drejtuesin e tij, ndërsa nga skuadra që siguroi qëndrimin në Kategorinë Superiore gjatë edicionit të kaluar kanë mbetur vetëm pak emra.
Çështja kryesore për tu zgjidhur në skuadrën e periferisë së kryeqytetit është ajo e trajnerit. Edhe pse në fund të muajit qershor Pietro Vierkovud u takua me kryebashkiakun Mziu dhe presidentin Qarri, duke krijuar idenë se marrëveshja u finalizua, e vërteta qëndron ndryshe.
Italiani 59-vjeçar jo vetëm që nuk ka akord, por tashmë është në dyshim serioz nëse do të jetë ai që të hënën e 9 korrikut do të zbresë në fushë për të drejtuar stërvitjen e parë. Burime pranë klubit bëjnë të ditur se shanset janë 50 me 50 që Vierkovud të jetë trajner, por nuk përjashtohet as pista shqiptare. Kamza siguroi se brenda kësaj jave do të zyrtarizojë trajnerin e ri, ndërsa kureshtja për drejtimin që do të marrë sezoni mbetet.
Dilema ka edhe për ekipin. Aktualisht te Kamza janë vetëm tre lojtarë nën kontratë: Hektor Idrizaj, Ersid Ymeraj dhe Xhuljo Mehmeti. Të tjerët, duke nisur nga Sebino Plaku e Vangjel Zguro që iu bashkuan Kukësit ose janë larguar ose janë të lirë të bisedojnë me klubet e tjera. Në stërvitjen e parë që do të zhvillohet të hënën pritet të paraqiten edhe lojtarë që do të testohen. Por, pyetja që ngrihet është: Në këtë mënyrë, a do të jetë në gjendje Kamza të përsëritë mrekullinë e sezonit të kaluar?
Me kontratë
Hektor Idrizaj
Ersid Ymeraj
Xhuljo Mehmeti
Të larguar
Sebino Plaku
Vangjel Zguro
Argjend Malaj
Pa kontratë
Realdo Fili
Bruno Arrabal
Taulant Kuqi
Ilir Avdyli
Erlis Frashëri
Masato Fukuji
Igor Çukoviç
Demir Imeri
Stevan Raçic