Duvan Zapata është njeriu i momentit te skuadra e Atalantës. Forma e mirë e dhjetorit, ku shënoi tetë gola në gjashtë ndeshje të Serie A, vazhdon edhe në vitin 2019-ën. Kolumbiani ishte autori i një “pokeri” në transfertën ndaj Frozinones, që përfundoi me fitoren e thellë me shifra 5 – 0 për bergamaskët.
Në këtë takim ishin protagonistë dhe dy lojtarë shqiptarë. Portieri Etrit Berisha dhe mbrojtësi Berat Gjimshiti, e nisën nga minuta e parë. “Gardiani” kuqezi e ka “betonuar” statusin si titullar dhe në sytë e trajnerit Gasperini, nuk ka më dyshime, në ndryshim nga fillimi i sezonit, kur e uli në stol për t’i dhënë mundësi të riut Golini.
Gjimshiti zhvilloi gjithashtu një ndeshje të mirë, ku spikati me asistin e golit të tretë të Atalantës. Kontrata e qendërmbrojtësit shqiptar mbaron në fund të sezonit dhe po flitet gjithnjë e më shumë për një interes të Beshiktashit.
FROZINONE 0 – 5 ATALANTA
Shënues: Mançini 11’, Zapata 44’, 47’, 64’, 73’