VIDEO/ Vllaznia shpërfytyrohet në “Loro Boriçi”, Valuri e eliminon me goleadë

Barazimi 2-2 në Islandë mbajti gjallë shpresat te tifozët shkodranë. Aq më tepër kur goli i barazimit të Valurit u shënua tej kohës shtesë të akorduar nga gjyqtari. Por kur të gjithë prisnin një ndeshje të luftuar në “Loro Boriçi”, ndodhi që historia e kësaj sfide u mbyll që në pjesën e parë.

Pederseni nisi goleadën islandeze që në minutën e 13, ndërsa vetëm 3 minuta më vonë ishte Tryggvason-i ai që dyfishoi shifrat. Ndërkaq, në minutën e 36, ishte përsëri Pederseni ai që ndëshkoi Vllazninë, duke bërë që pjesa e parë të përfundonte me epërsinë e trefishtë të Valurit.

Festivali i golave nuk u mbyll me kaq. Haraldsson-i vulosi njëherë e mirë historinë e ndeshjes në minutën e 68, duke i çuar shifrat në ato përfundimtare, 0-4. Vllaznia u shpërfytyrua në “Loro Boriçi”, nga ku i tha lamtumirën Conference League-s që në turin e parë të saj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/