Shumë emocione ka prodhuar dueli në “Elbasan Arena“ mes Besëlidhjes dhe Pogradecit. Vllaznia ka njohur më në fund kundërshtarin për ndeshjen e play out-it, ku do të vendoset se cili do të jetë pjkesëmarrës në Superiore sezonin e ardhshëm.
Lezhjanët kanë mposhtur me shifrat 3-2 liqenorët dhe goli i knock out-it ka ardhur në frymën e fundit. Pjesa e parë është mbyllur në baraspeshë 1-1, teksa Alillari shënon në minutën e 45-të. Pjesa e dytë do të niste me një përmbysje të Pogradecit, që kalon në avantazh me anë të golit të Topllarit.
Por Besëlidhja nuk është dorëzuar deri në fundin e takimit. Fillimisht Moçi barazon sërish në 2-2, ndërsa atëherë kur të gjithë po mendonin kohën shtesë, një gafë në mbojtjen e Pogradecit shfrytëzohet më së miri nga Çokiç që ndez kështu festën te lezhjanët./Halit Delibashi-Sport Ekspres/