Sasuolo-Napoli ka rezultuar një takim që dhuroi emocione deri në frymën e fundit. Napoletanët e gjetën rrugën e rrjetës të parët, teksa në minutën e 51-të dhe të 59-të shënojnë gol respektivisht me anë të Fabian Ruizit dhe Mertensit.
Por takimi nuk mori rrjedhën që ekipi i Spaletit do të dëshironte, pasi Sasuolo rezultoi të ishte një “kockë e fortë“ në fushën e lojës. Skamaka ngushton diferencat për vendasit, që më pas do të shokonin Napolin në minutat e fundit.
Në minutën e 89 Ferrari shënon një supergol me kokë dhe barazon rezultatin, por surprizat nuk do të mbaronin këtu. Atëherë kur po numëroheshin sekondat e fundit të lojës Defrel tund rrjetën për herë të tretë dhe ndez festën te Sasuolo. Megjithatë festa nuk do të zgjaste shumë, pasi VAR-i ndërhyn dhe shpëton Napolin nga përmbysja e çmendur. Të kaltrit vijojnë të mbeten në krye të tabelës, por tashmë me vetëm 1 pikë më tepër se sa Milani i vendit të dytë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/