Ekipi i femrave të Vllaznisë ka përfunduar mbrëmjen e sotme përvojën e parë në Champions Leage. Kuqeblutë kanë luajtur ndeshjen e gjashtë në grupe kundër Realit të Madridit, ku nuk e kanë shmangur dot humbjen. Reali i Madridit ka fituar me shifrat 5-1, por rezultati nuk i bën punë asnjërës prej skuadrave, teksa të dyja eliminohen që në këtë fazë të kompeticionit.
Megjithëse nuk arritën të marrin asnjë pikë në fazën e grupeve, vajzat e Vllaznisë do të kthehen me krenari nga Madridi. Vetë fakti që mbërrijnë deri në këtë pikë të turneut më madhor të futbollit europian është një arritje historike që do të mbahet mend gjatë. Një fakt pozitiv mbrëmjen e sotme është shënimi i golit të parë që një ekip shqiptar, qoftë për femra, qoftë për meshkuj, shënon në Champions League. Ishte Megi Doçi ajo që tundi rrjetën e Realit të Madridit, pas një ekzekutimi fantastik të një goditjeje dënimi në minutën e 5 të takimit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/