Në Shqipëri është duke u punuar shumë sa i përket përmirësimit të infrastrukturës futbollistike. Projekti 100 fushat është pikërisht për pasurimin e futbollit shqiptar në këtë aspekt, duke i dhënë kushtet e duhuar të gjithë talenteve që të rriten dhe të nxjerrin më të mirën e tyre. Së fundmi kreu i FSHF, Armand Duka, ka treguar pamjet e dy fushave të reja të skuadrës së Dinamos që janë drejt përfundimit.
“Dy fushat e reja të skuadrës së Dinamos, pjesë e projektit tonë madhor 100 fushat, janë drejt përfundimit dhe njëra prej tyre brenda 10 ditëve do të jetë në dispozicion të ekipeve për zhvillimin e seanca stërvitore. Ndërkohë që fusha me bar natyral po ecën me ritme të larta duke i shtuar infrastrukturës sportive në Qarkun Sportiv Tiranë dy fusha të tjera për djemtë dhe vajzat që ndjekin ëndrrën e tyre të madhe.
Në të gjithë vendin vazhdojnë me ritme të larta punimet për fushat e reja që po ndërtohen me financimet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në prag të sezonit të ri futbollistik dua të garantoj të gjithë futbollistët dhe futbollistet se ne do të bëjmë gjithçka dhe nuk do të ndalemi në transformimin e infrastrukturës futbollistike”, shkruan Duka.