Ura që ndodhet në afërsi të stadiumit të Librazhdit nuk ka pasur kurrë më parë më tepër njerëz për të mbajtur në shpinë sesa në përballjen kundër Shkumbinit. Në derbin që përfundoi në shifrat 1-1, tifozët e kishin gjetur më së miri mënyrën sesi mund ta shihnin ndeshjen. Nuk ka tifozë? Pa problem! Por rrezikshmëria për t’u infektuar në këto kohë të COVID-19 ishte shumë herë më e madhe teksa grumbulli i madh i njerëzve ishin ngjitur me njëri-tjetrin për të ndjekur takimin.
Imagjinojeni për një moment sesi mund të shijohet dhe festohet shënimi i një goli në këtë rast. E për këtë arsye Qeveria duhet të rishikojë vendimet e saj për mbylljen e stadiumeve pasi po ndikon direkt në krizën financiare të klubeve dhe njëkohësisht rritjen e rrezikshmërisë për infektim, pasi tifozët e zjarrtë do e gjejnë gjithmonë mënyrën për ta ndjekur ekipin e tyre të zemrës. Kjo e ardhur nga ndeshja Sopoti-Shkumbini është vetëm një dëshmi… /Sport Ekspres/