Luftëtari lëviz në merkato dhe ditën e sotme kanë nënshkruar dy lojtarë, Bëhet fjalë për një mbrojtës të majtë dhe një mesfushor. Riste Ilijoski u mor për shkak të dëmtimit që pësoi mbrojtësi Mërgim Neziri. Vetëm Xhekson për linjën e majtë nuk mjafton.
Mezani kërkon një grup të plotë dhe deri më tani nuk e ka në dispozicion. Nga Maqedonia ka mbërritur Riste Ilijoski, futbollist 24-vjeçar që ishte pjesë e Pelisterit në ligën e dytë në Maqedoni. Me këtë skuadër mbrojtësi i majtë ka luajtur edhe në elitë. Në të shkuarën gjithashtu është aktivizuar te Pobeda dhe Mladost CD.
“Ditën e sotme drejtuesit e klubit kanë prezantuar 2 afrimet më të fundit, mbrojtësin e majtë që mund të luajë edhe si mesfushor, Riste Ilijovski, si dhe Angelos Hanti. I pari është maqedonas. ndërsa i dyti është grek dhe me nënshtetësi jordaneze. Angelos Hanti është edhe pjesë e kombëtares së Jordanisë dhe një lojtar shumë i njohur në kampionatin grek”, njofton klubi bluzi.
KUSH ËSHTË HANTI – Mesfushori i Jordanisë është ai prej të cilit në Gjirokastër presin shumë. Futbollisti 29-vjeçar është pjesë e kombëtares së vendit të tij dhe ka lënë Greqinë për të luajtur në Superiore.
Ai ka qenë në të shkuarën pjesë e Ergotelis, duke u aktivizuar pesë sezone në elitën e futbollit të vendit fqinj. Aititos Spata ishte ekipi i Hantit në pjesën e parë të këtij sezoni dhe është aktivizuar në 6 ndeshje si titullar.