Një mesfushor me vesin e golit në fushë gjatë karrierës si futbollist. Cilësi, të cilat nuk janë venitur aspak, edhe pse është tërhequr prej disa vitesh nga fushat e lojës. Klodian Duro po e pret me padurim sfidën ndaj Kukësit, ekipit të cilit i dhuroi trofeun e parë të rëndësishëm në karrierë, Kupën e Shqipërisë.
Shumë punë taktike, por edhe leksione si shënohen golat nga trajneri për sulmuesit e Kamzës. Kjo ndodhi në stërvitjen e fundit, përpara sfidës në “Loro Boriçi”, me 40-vjeçarin që realizoi një gol mjaft të bukur. Ndërsa po punonte me lojtarët e repartit ofensiv, për një moment Duro vendosi të godiste vetë drejt portës.
E majtë e pakapshme që befasoi portierin dhe u vëzhgua me admirim nga lojtarët e Kamzës. Një video e shpërndarë nga faqja zyrtare e klubit, që me të drejtë mburrej: “Trajneri Duro nuk e harron zanatin e vjetër”.
Ky ishte ndoshta leksioni më i rëndësishëm për ekipin në prag të përballjes me Kukësin. E rëndësishme është që lojtarët e Kamzës, sulmues apo jo, të shënojnë. Edhe gola jo kaq cilësor si ai i trajnerit, por që do të sillnin rezultat pozitiv, do të ishin të mirëpritur…