Dy pritje të bukura të portierit kuqezi i dhurojnë fitoren skuadrës së Inzagit, që në fund dyfishon me Imobilen. Ish-lojtari i Skënderbeut dhe Bylisit, i papërmbajtshëm në pjesën e dytë
Thuajse asgjë për 75 minuta lojë, por dy pritje në çerek orën e fundit të ndeshjes, që i kanë dhënë fitoren e dytë skuadrës së Lacios, pas 3 pikëve të arritur në Holandë, ndaj Viteshes së Rashicës, në një ndeshje spektakolare. Thomas Strakosha vazhdon të jetë deçiziv, jo vetëm në kampionat, por edhe në Europa League. Madje, dje ishte vendimtar me pritjen përballë ish sulmuesit të Superligës (Skënderbeu dhe Bylis), Piter Olainka. Afrikani, i huazuar nga Genti, i aktivizuar në pjesën e dytë, ka qenë i papërmbajtshëm me sprintet e tij por edhe me një rast deçiziv, që ka parë Strakoshën t’i thotë “jo”.
Për vendësit, ai që hapi serinë e golave ishte Kasiedo, blerja e kësaj vere, teksa gjeti një devijim të bukur pas kromimit të Lukakut nga krahu. Luis Alberto i afrohet dyfishimit, por Nikola Leali, portieri italian i huazuar në Belgjikë, reagoi mjaft bukur. Pikërisht Kasiedo nuk e shfrytëzon asistin e Milinkoviç dhe shpërdoron dy hapa larg portës. Kasiedo sërish i rrezikshëm dhe Leali sërish prezent, por Zulte provon të trembë dhe e bën dy herë: Strakosha përgjigjet me dy superpritje ndaj Isekës dhe Piter Olanikës. Në fund, Imobile dyfishon dhe mbyll ndeshjen. Portieri kuqezi u vlerësua me notën “7” për paraqitjen, sidomos atëherë kur u vu në provë…
https://www.youtube.com/watch?v=1JRj5e49d1U
Elozhet e Zof – Sakaq, ish portieri i famshëm italian, Dino Zof, në një intervistë për mediet italiane, foli për portierin kuqezi: “Duhet të përmirësohet më shumë, kjo nuk ka dyshim. Por po bën gjëra të rëndësishme, duke e parë edhe moshën e re që ka. Ai është një garanci dhe nëse do të vazhdojë kështu, do të bëjë gjëra të mëdha”, ishin fjalët e Zof për mediat italiane.