Stadiumet shqiptare vijojnë të jenë me dyer të mbyllura si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19. Megjithatë kjo nuk i ka ndaluar tifozët të ndjekin ekipin e tyre të zemrës nga afër. Një gjë e tillë është vënë re në ndeshjet e sotme të Superiores. Fillimisht në Skënderbeu-Laçi, ku kamerat kanë kapur edhe festën e tifozëve korçarë pas golit të ardhur në minutat e fundit të ndeshjes dhe që i shpëtoi nga humbja. Një grup i vogël gjendej pranë stadiumit për të mbështetur kështu skuadrën e tyre të zemrës.
Ndërkohë edhe sfida e mbrëmjes mes Teutës dhe Tiranës ka pasur praninë e tifozëve, të cilët këtë herë nuk kanë qenë në shkallët e stadiumit, por të gjendur në pallatet përreth. Tifozët e Tiranës kanë premtuar se nuk do e lënë vetëm ekipin e tyre edhe në këtë periudhë dhe këtë e kanë vërtetuar edhe mbrëmjen e sotme, ku kanë udhëtuar drejt Durrësit për të motivuar bardheblutë. Brohorimat e atmosfera e krijuar prejt tyre nuk ka munguar për asnjë moment, duke të krijuar ndjesinë se kemi të bëjmë me një stadium të mbushur e jo të zbrazët./Halit Delibashi-Sport Ekspres/