Fiorentina dhe Atalanta janë ndarë në barazim në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë, në një ndeshje të çmendur ku u shënuan plot 6 gola.
Fillimisht ishte Atalanta, e cila kaloi në avantazh të dyfishtë brenda tre minutave me golat e Alehandro Gomez në minutën e 16-të dhe Mario Pashaliç në minutën e 18-të. Gjithsesi, pavarësisht goditjes që mori, ekipi vendas nuk u dorëzua dhe arriti të reagonte shpejt.
Federiko Kieza shkurtoi diferencën në minutën e 33-të, ndërsa në të 36-tën ishte Marko Benasi, i cili baraspeshoi gjithçka. Në pjesën e dytë, ishte përsëri ekipi i Gasperinit që kaloi në avantazh me golin e De Run në minutën e 58-të, duke dhënë iluzionin e një fitoreje.
Sidoqoftë, ishte Luis Muriel, i cili vuri baraspeshën dhe një herë, duke mbyllur gjithçka në shifrat 3-3. Tashmë, çdo gjë do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Bergamo.