Fundjavën e shkuar një ndeshje për Kupën e Konfederatës Afrikane (versioni afrikan i Europa League), mes Berkane dhe Raxha Kazablanka, përfundoi në qendër të vëmendjes për gjykimin skandaloz të një arbitri nga Kameruni, Antuan Esuma.
Sfida derbi mes dy ekipeve nga Maroku ishte me rëndësi të madhe, pasi ishte ndeshja e katërt në grup dhe të dyja palët janë në garë për kualifikim, me Berkane që për momentin kryeson grupin.
Në fund nuk doli në dritë asnjë gol, por në të vërtetë 0-0 ishte produkt i një arbitrimi të tmerrshëm.
Një penallti neto në pjesën e parë në favor të Raxha Kazablankës nuk u fishkëllye, edhe pse mbrojtësi i hoqi krejtësisht fanellën sulmuesit në zonë.
Ndërkaq, në minutët e fundit shtesë Raxha Kazablanka shënoi, por arbitri e anuloi golin për një faull që vetëm ai e pa.
Protesta të ashpra nga Raxha, që ka kërkuar reagimin e Konfederatës së Afrikës. Kjo e fundit nuk ka ndenjur pasive, sepse duke parë sërish ndeshjen, ka evidentuar se “arbitrimi ishte surreal” dhe e ka përjashtuar për një vit arbitrin kamerunas.