Ka përfunduar me rezultatin 1-3 miqësorja e luksit mes Shqipërisë dhe Italisë. Kuqezinjtë e nisën vrullshëm takimit, duke arritur të gjejnë të parët golin. Një harkim perfekt nga Bajrami në zonë dhe Ismajli tregohet i jashtëzakonshëm me goditjen me kokë. Topi shkon pas shpinës së Meret dhe ky gol ishte shpërblimi më i mirë i sezonit fantastik që është duke zhvilluar me Empolin.
Megjithatë avantazhi nuk ka vazhduar për shumë kohë. Axurrët barazojnë me anë të Di Lorencos, që në minutën e 21-të shfrytëzon një top që u la të hyjë në zonë. Ndërkohë, vetëm 5 minuta më vonë, Grifo përmbys rezultatin. Ishte përsëri mbrojtja e Serisë A ajo që na “tradhëton“, teksa Kumbulla humb topin topin dhe i hap rrugën golit. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-2, ndërsa në të dytën ishte përsëri Grifo ai që dërgoi përsëri topin pas shpinës së Berishës.
Por nuk munguan as rastet për Shqipërinë, që tronditi dy herë traversën gjatë pjesës së dytë. Gjithashtu Roshi humbi një shans të artë përballë portierit të Italisë, pa mundur të finalizojë me gol një aksion të bukur të kuqezinjve. Mbrëmjen e sotme ka pasur minuta edhe për Skukën, i cili hyn në fushë me energji të mëdha. I mjafton pak kohë dhe tenton spektaklin me roveshatë, por Meret i mohon golin. Skuadrat nuk kanë mundur të shënojnë më tepër dhe ndeshja përfundon me rezultatin 1-3. Kampionët e Europës dalin triumfues nga “Air Albania”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/