Arlind Ajeti ka rilindur në Rumani. Mbrojtësi shqiptar po gjen sërish formën e tij më të mirë në karrierë. Përvoja me fanellën e Kluzhit po shkon më së miri për 29-vjeçarin. Para disa kohësh ai mahniti edhe presidentin e skuadrës së Adana Demirsporit me paraqitjen në kualifikueset e Ligës së Konferencës, aq sa kreu i klubit turk e përgëzoi personalisht pas ndeshjes dhe i kërkoi drejtorit të tij sportiv të nënshkruante menjëherë me të.
Paraqitjet pozitive vazhdojnë edhe në kampionat për Arlind Ajetin. Mbrojtësi shqiptar shënoi gol në përballjen e djeshme kundër Universitetit të Kluzhit. Ndeshja përfundoi me rezultatin 3-4 në favor të CFR Kluzhit dhe një ndihmë të madhe luajti edhe goli i Ajetit në minutën e 63-të. Lojtari 29-vjeçar goditi portën me kokë pas një goditjeje nga këndi. Portieri kundërshtar arriti ta kthente topin sërish në lojë, por VAR-i konfirmoi se goditja ishte pritur pasi kishte kaluar sfera vijën fatale. Me formën e shfaqur në javët e fundit Arlind Ajeti i jep një mesazh edhe Silvinjos, i cili mund ta ftojë për dy përballjet vendimtare të muajit shtator, ato kundër Çekisë dhe Polonisë./Sport Ekspres/