Janë mbyllur dhe dy takimet e sotme të fazës së 1/8-ave në Champions. Reali i Madridit dhe Totenhemi kanë treguar forcën e tyre, teksa kanë fituar respektivisht ndaj Ajaksit në transfertë me shifrat 1-2 dhe ndaj Dortmundit në shtëpi me shifrat 3-0.
Në ndeshjen e luajtur në Holandë, pjesa e parë ishte e gjitha e dominuar nga Ajaksi. “Harkëtarët” patën një mori me raste, teksa goditen shtyllën me Tadiç. Gjithashtu, sistemi VAR, i anuloi një gol Ajaksit, pas një pozicioni të prregullt.
Fraksioni i dytë, ishte totalisht ndryshe, teksa Reali gjeti avantazhin në minutën e 60-të me anë të Karim Benzema. Ishte Vinisius me një inkursion nga e majta, i cili dhuroi një pasim perfekt për francezin, i cili nuk zhgënjeu.
Gjithsesi, Ajaksi u rikthye dhe barazoi në minutën e 75-të me anë të Zijesh. Në fundin e takimit, kur të gjithë menduan që gjithçka do të mbyllej në barazim, ishte Marko Asensio, i cili pas një pasimi perfekt nga Dani Karvahal, i dhuroi fitoren të tijve.
Ajaks – Real Madrid 1-2
Shënues: Zijesh 75′ / Benzema 60′, Asensio 87′
Ndërkohë në Londër, pjesa e parë u mbyll në barazim, në një ndeshje të ekuilibruar dhe të kujdesshme. Në fraksionin e dytë, gjithçka ndryshoi, pasi kur kishin kaluar vetëm një minutë lojë, ishte Son, i cili shënoi pas pasimin të Vertongen, duke çuar në avantazh të tijtë.
Më pas, fundi i takimit u kthye në makth për Dortmundin, teksa brenda tre minutave, “gjelat” e Londrës, shënuan dhe dy herë të tjera, me Vertongen e Lorente. Triumf 3-0 i Totenhemit, që lë vend për shumë pak shpresë në krahun e Dortmundit.
Totenhem – Dortmund 3-0
Shënues: Son 47′, Vertongen 83′, Lorente 86′