Senegali arriti një fitore të rëndësishme përballë Guinesë Ekuatoriale me rezultatin 0-1 në Kupën e Kombeve të Afrikës. Një autogol i Mese në minutën e 52 i dhuroi tre pikët Senegalit, që vazhdon të kryesojë grupin A me 13 pikë, 3 më shumë se Madagaskarit.
Një episod i rëndë i ka ndodhur sulmuesit të Senegalit, Sadio Mane. Lojtari i Liverpulit ka humbur një rast të pastër për të dërguar ndeshjen në 0-2 dhe një gjë e tillë ka sjellë shpërthimin e tifozëve senegalezë kundrejt tij.
26-vjeçari e ka përjetuar keq një gjë të tillë dhe në fundin e ndeshjes ka shpërthyer në lot. Duart në fytyrë dhe bluza sipër kokës, por nuk ka mjaftuar. Mane ka qenë në një gjendje emocionale të rënduar dhe është dashur ndërhyrja e shokëve të ekipit dhe stafit teknik për ta nxjerrë nga fusha e blertë.