Barcelona triumfoi mbrëmjen e kaluar me rezultatin 4-2 ndaj Sevijas, në një sfidë ku vëmendjen kryesore e mori dëmtimi i Leo Mesit. Barça po udhëhiqte 2-0 në momentin që argjentinasi u detyrua të linte fushën i dëmtuar. Në pjesën e dytë erdhën 4 golat e tjerë të sfidës, teksa Sevija shënoi dy herë, por pa e vënë për asnjë moment në diskutim fitoren e katalanasve.
Meritë për këtë ka padyshim Mark-Andre Ter Shtegen, i cili ka realizuar disa pritje të pabesueshme. Gjermani po kalon një formë fantastike, ku pak ditë më parë në mediat gjermane është diskutuar gjatë fakti, se Ter Shtegen duhet të ketë një shans në kombëtaren gjermane, pasi po kalon një formë më të mirë se Manuel Nojer.
Pritje të mrekullueshme mbrëmjen e kaluar, teksa lojtarët andaluzianë nuk i besojnë syve. Në minutën e 61-të një goditje me kokë e Andre Silvës, thuajse perfekte, u ndal nga një fluturim i gardianit gjerman, i cili më pas reagoi përsëri në vazhdimin e aksionit. Gjithsesi, 26-vejçari nuk u ndal me kaq, teksa në minutën e 86-të ndali si fillim Sarabian dhe më pas Ben Jeder. Paraqitje mbresëlënëse e portierit të blaugranave.