VIDEO/ Prenga ndal yjet e Gallatasarait, kampionët e Turqisë dështojnë në Europë

Gallatasarai ka zhgënjyer mbrëmjen e sotme në Europë. Kampionët në fuqi të Turqisë kanë dështuar në objektivin për t’u larguar me fitore nga transferta letoneze. RFS-ja ka ndalur yjet e Gallatasarait në një barazim 2-2.

Skuadra nga Stambolli tregoi supremacinë e saj herët gjatë ndeshjes, duke zhbllokuar shifrat me anë të Mertensit që në minutën e 12. Më pas në të 38-n ishte Akgyni ai që dyfishoi rezultatin. Megjithatë vetëm dy minuta më vonë, Ikaunieks-i ngushtoi shifrat e takimit. Në minutën e 54-t ishte Lasha Odisharia ai që vulosi rezultatin përfundimtar në 2-2.

Gallatasarai dominoi takimin me 76% mbajtje të topit, por kjo nuk mjaftoi për t’i sjellë në fund fitoren. Skuadra e Herdi Prengës mori kështu një pikë mjaft të vyer, sidomos duke ditur nivelin e kundërshtarit që kishte përballë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/