Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, nuk ka mbetur aspak i kënaqur nga rezultati i marrë në përballjen kundër Laçit. Të dyja ekipet u ndalën në barazimin 2-2, por tekniku i të kuqëve është shprehur se kryeqytetasit e dominuan kundërshtarin në çdo moment.
“Treguam se ishim më lartë se kundërshtari dhe treguam se jemi dukshëm më lartë se të tjerët. Do të vazhdojmë kështu deri në fund fare. Kemi pasur shumë raste përpara porte dhe kjo tregon se prodhojmë. Më shumë sesa morëm 1 pikë, lamë 2 pikë”, tha Daja.
E teksa Ervin Bulku kishte të drejtën e pyetjes, e nisi duke u shprehur se të dyja ekipet kishin mundësi për të fituar takimin. Në këtë moment kishte ironi në distancë dhe përplasje me trajnerin Daja që nuk mund të pranonte kurrsesi që t’i vendosej shenja e barazisë lojës së paraqitur nga Laçi dhe asaj që u paraqit nga Partizani. /Sport Ekspres/