Është mbyllur kryendeshja e javës së tetë në Premier Ligë. Liverpuli dhe Mançester Siti janë ndarë në paqe me njëri-tjetrin, teksa ndeshja është mbyllur me rrjeta të paprekura. “Citizens” largohen nga “Anfield” të zhgënjyer teksa pesë minuta përpara fundit të ndeshjes patën rastin më të mirë për të shënuar, por nga pika e bardhë e penalltisë, Mahrez gaboi krejtësisht.
Në pjesën e parë u pa një lojë e ekuilibruar dhe disi e mërzitshme në krahasim me futbollin që jemi mësuar të shohim në Angli. Një Mançester Siti më kërkues se Liverpul, por nuk është se portierët respektivë u vunë në ndonjë moment në vështirësi. Ekipet shkuan në pushimin e ndeshjes me rezultatin e bardhë 0-0.
Pjesa e dytë ishte disi më ndryshe, sidomos për Liverpulin. Në fraksionin e dytë të besuarit e Klop u shfaqën më kërkues, por gjithsesi Siti kishte rastet më të mira për të shënuar. Për t’u veçuar penalltia e humbur nga Mahrez, në minutën e 85-të. Gjithashtu algjeriani kishte humbur dhe dy raste mjaft të pastra përpara se të drejtohej tek pika e bardhë.
Tani Premier Liga është më e hapur se kurrë, teksa janë tre ekipe në kuotën e 20 pikëve, që qëndrojnë në krye. Siti, Çelsi dhe Liverpul janë në kuotë të barabartë pikësh. Pas tyre vijnë Arsenal dhe Totenhem me vetëm dy pikë më pak. Një kampionat më rivalizues se kaq kishte vite që nuk shihej në ishull.