VIDEO/ Padrejtësia! Një pasim perfekt si në të shkuarën, Ndoji lë Serinë A me pengje nga pas

Nga nesër Breshia do të zbresë sërish në Serie B. Klubi i Celinos rezistoi vetëm një vit në elitë, gjë që mund të mbetet një peng për skuadrën, e cila afroi edhe një emër si Baloteli për të synuar qendrimin në Serie A. Por një peng i dyfishtë mund të quhet për Emanuele Ndojin. Mesfushori shqiptar do të lërë nivelin më të lartë të futbollit Italian pa pasur mundësinë ta shijonte si duhej, me padrejtësinë që iu bë.

Së bashku me Tonalin ishin dyshja perfekte në mesfushën e Breshias, duke pasur një meritë të pamohueshme në ngjitjen drejt Serie A. Por nëse talenti Italian do ta gjente veten përherë në formacionin bazë, duke rënë në vëmendjen e klubeve më të njohura të Italisë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për lojtarin kuqezi.

Një dëmtim në fillim të sezonit ishte nisja e fatit të keq për të, teksa pas rekuperimit nuk po i besohej më një vend në fushën e lojës. Aftësitë e mesfushorit nuk mungojnë dhe këtë e ka treguar edhe në ndeshjen e sotme kundër Sampdorias, që u mbyll në shifrat 1-1. Një asist perfekt si në të shkuarën do të vinte nga këmbët e tij vetëm 10 minuta pasi hyri si zëvendësues në fushë, por goli do të anulohej më pas nga gjyqtari i takimit.

E nëse hapësirat do i kishte më të mëdhaja në këtë sezon, ndoshta mund të kishim një tjetër shqiptar që do të lakohej në mediat përtej Adriatikut. Në fund të fund renditja në tabelë nuk i jep të drejtë trajnerit për “padrejtësinë” e bërë ndaj Ndojit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *