Tirana është duke luajtur në “Elbasan Arena“ finalen e Superkupës së Shqipërisë kundër Teutës. Skuadra durrsake është duke udhëhequr me shifrat 2-0 dhe është treguar më bindëse në fushën e lojës. Por rezultati nuk është i vetmi që bën me dhimbje koke Egbonë.
Lojtari kyç i bardhebluve në sezonin që lamë pas dhe në ndeshjet e Champions League, Idi Batha ka pësuar një dëmtim që në dukje është i rëndë. Mesfushori është përplasur në fushë me një prej kundërshtarëve dhe nuk ka mundur të vazhdojë më gjatë lojën.
Batha është detyruar të lërë fushën, megjithëse nuk mund ta bënte dot një gjë të tillë me këmbët e tija, teksa janë dashur dy pjesëtar të stafit bardheblu për ta shoqëruar në ambientet e brendshme të stadiumit. Një dëmtim ky që ndez panik te Tirana, që do të presë me ankth të mësojë shkallën e lëndimit. Kujtojmë se kampionati është vetëm 12 ditë larg./Halit Delibashi-Sport Ekspres/