Drama po vazhdon në Serinë A jo vetëm sa i përket vendit që të dërgon në Champions League, por edhe mbijetesës. Benevento është duke luftuar me Torinon për vendin që të shpëton nga rënia dhe të mban sërish në elitën e futbollit italian.
Skuadra e drejtuar nga Inzagi po luante kundër Krotones që ka rënë prej kohësh nga Seria A. Tërësisht pa objektiv dhe me një lojtar më pak që nga minuta e 24, teksa Golemic u ndëshkua me kartonin e kuq, Benevento po kryesonte falë golit të Lapadulës.
Por në minutën e fundit të takimit do të barazohej gjithçka me Simy. Vetë përjetimi i lojtarëve të Beneventos tregon gjithë emocionet e përjetuara teksa shumë prej tyre mes ulërimave godisnin fushën duke mos i besuar syve për atë që po ndodhte.
Tashmë misioni i shpëtimit në Serinë A është shumë i vështirë për t’u arritur. Ekipi i Inzagit kërkon që Lacio të mposht Torinon dhe ndeshja e fundit do të jetë direkte mes Torinos dhe Beneventos. Në këtë takim do të kërkohej me patjetër fitorja si rezultati i vetëm që i jep shpëtim. /Sport Ekspres/